Aktuale

“Bëjini mirë llogaritë” – Ministri Lamallari zbarkon në Sarandë, pas skandalit që shkriu gjithë Komisariatin e Policisë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, së bashku me drejtorin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë mbërritur në Sarandë pas skandalit të ndërtimit pa leje të “CopaCabana”, një beach bar që solli shkarkimin e drejtuesve kryesorë të policisë lokale.

Gjatë deklaratës së tij, Lamallari e cilësoi bregdetin shqiptar si pasuri kombëtare dhe paralajmëroi se askush nuk mund të vendosë interesat personale mbi ligjin dhe interesin publik.

Ai tha se reagimi i menjëhershëm i policisë dhe strukturave të mbikëqyrjes ishte një mesazh i qartë se paligjshmëria nuk do të tolerohet, duke theksuar se institucionet nuk mund të presin derisa të ngrihen ndërtime shumëkatëshe pa leje.

Ministri kërkoi hetim të thelluar për rastin dhe paralajmëroi masa ndaj çdo punonjësi policie që ka bashkëpunuar apo ka toleruar shkeljet.

Sipas tij, efektivët kanë vetëm dy rrugë: të zbatojnë ligjin me përgjegjësi ose të përballen me pasojat ligjore.

Lamallari ngriti shqetësimin edhe për sigurinë publike në zonat bregdetare, duke deklaruar se fenomene si xhirimet e gomave apo armëmbajtja pa leje janë të papranueshme dhe duhet të ndëshkohen pa tolerancë.

Ai theksoi se arsyeja pse disa drejtues policie po përballen sot me drejtësinë lidhet pikërisht me mosveprimin ndaj paligjshmërisë.

Të Ngjashme