Lajme

Bekim Sejdiu në skenarin presidencial, Bytyçi paralajmëron zhvillime të forta: Ja çfarë do të tregojë vota!

Profesori Enver Bytyçi ka reaguar lidhur me mundësinë që Dr. Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar lart profilin e tij profesional, akademik dhe institucional.

Bytyçi në shkrimin e dërguar për “Bota sot” ka vlerësuar mes tjerash se përvoja e Sejdiut në diplomaci, drejtësi dhe akademi e bën atë një figurë të përshtatshme për këtë pozitë.

Mos ia humbni shansin Kosovës!

Është konfirmuar tashmë në publik se Dr. Bekim Sejdiu mund të jetë kandidat për president të Republikës së Kosovës. CV e tij është impresionuese: – Diplomat, ambasador dhe konsull i Përgjithshëm. Më pas anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pedagog në Fakultetin e Shkencave Juridike në Universitetin e Prishtinës. Ka mbrojtur doktoraturën në shkencën e së drejtës ndërkombëtare. Nuk është marrë asnjëherë me politikë të mirëfilltë dhe nuk është rrjeshtuar në ndonjë parti politike”, ka deklaruar Bytyçi.

Profesori ka vlerësuar se një profil i tillë nuk do të duhej të haste në kundërshtime nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj partive që mund ta kundërshtojnë kandidaturën e Sejdiut.

Image
Profesori Enver Bytyçi

“Me këtë CV askush, asnjë deputet, nuk mund ta kundërshtojë kandidaturën e tij. Nëse PDK dhe AAK e kundërshtojnë, atëherë këto dy parti duan që për inat të Kurtit të shkojnë e të flenë me Vuçiq dhe Radoiçiq! Nëse ndonjë deputet i LDK-së hedh vickla, atëherë ai problemin e ka me veten e tij e mos e thashtë zoti edhe me padronin e tij, diku në ndonjë skutë, ku thuren skenare anti-shqiptare e anti-Kosovë”, ka thënë Bytyçi.

Bytyçi ka komentuar edhe rolin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, duke vlerësuar se qëndrimi ndaj kandidaturës së Sejdiut mund të shërbejë si një test për partitë politike dhe për pretendimet e tyre rreth bllokimit të institucioneve.

“Besoj se Lumir Abdixhiku kësaj radhe ka për të qenë sfida e çdokujt që bllokon krijimin e institucioneve të Kosovës. Ai duket se këtë sfidë e ka drejtuar në të dy krahët dhe pret se cila palë do të reagojë me kundërshti. Në këtë rast do të zbulohet përfundimisht se kush e bllokon krijimin e institucioneve të Kosovës. Opozita çdo ditë shkon te salla e Kuvendit dhe thotë se Albin Kurti i ka bllokuar institucionet e shtetit. Vota dhe mbështetja ose jo për Bekim Sejdiun do të na japë të drejtën të gjykojmë se kush janë ata që bllokojnë zgjedhjen e kreut të shtetit”, theksoi ai.

Në fund, Profesori ka potencuar se profili juridik dhe akademik i Sejdiut është një tjetër argument në favor të kandidaturës së tij, veçanërisht duke marrë parasysh nevojën për reforma në drejtësi.

“Si jurist dhe konstitucionalist Bekim Sejdiu është i përshtatshëm për atë post edhe për faktin se presidenti do të duhet në këtë legjislaturë të drejtojë reformën në drejtësi. Kosova ka nevojë për drejtësi!”, ka përfunduar Bytyçi.

Të Ngjashme