Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka komentuar protestat studentore që po zhvillohen në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen e tij për studentët dhe duke kritikuar ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në emisionin “Mesdite”, Berisha i ka cilësuar protestat si një moment të rëndësishëm politik, ndërsa ka pretenduar se studentët janë ngritur kundër asaj që ai e quajti “narkoshtet” dhe një regjim autoritar.
“Kjo është vjeshta ime më e bukur, sepse studentët po ngrihen kundër narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, kundër diktaturës autoritare, të bazuar në dhjetëra e dhjetëra miliarda euro dhe dollarë nga droga dhe plaçkitja e fondeve të shqiptarëve e pasurive të tyre publike”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka thënë se, sipas tij, qeverisja aktuale përbën rrezik për të ardhmen e Shqipërisë dhe ka shprehur bindjen se lëvizja studentore do të ketë ndikim në zhvillimet politike të vendit.
“Pra, nuk dua të ndalem në këtë narkodiktaturë, por kam besim të plotë se kjo lëvizje studentore do ta arkivojë në banesën e turpit të historisë regjimin e një armiku të egër të kombit shqiptar, të një njeriu që u soll me armiqësi ndaj Kosovës, të barabartë me padronin e tij, Aleksandar Vuçiq. Prandaj më erdhi në mendje të them se kjo është vjeshta më e bukur e jetës sime”, është shprehur ai.
Berisha ka komentuar edhe reagimin e institucioneve ndaj protestave, duke paralajmëruar se përdorimi i dhunës nga autoritetet kundër protestuesve paqësorë mund ta përshkallëzojë situatën.
Ai ka përmendur protestën para Ministrisë së Arsimit, për të cilën ka pretenduar se policia ka përdorur dhunë ndaj pjesëmarrësve.
“Nëse përdoret dhuna shtetërore për të çarë kokat, për të thyer gjymtyrët e protestuesve paqësorë, atyre u lind e drejta të përdorin çdo mjet rrethanor në qëndresën e tyre kundër këtij regjimi. Dhuna barbare e Edi Ramës u përdor pardje në protestën paqësore te Ministria e Arsimit dhe vazhdoi dje në mënyrë edhe më të egër. Mirëpo, studentët e gjimnazeve duhet ta dinë se guximi i tyre është i pakufishëm”, ka thënë Berisha.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protestat studentore dhe reagimet ndaj qeverisë janë kthyer në temë të debatit politik në Shqipëri.
Kreu i Partisë Demokratike ka theksuar se opozita do të vazhdojë të mbështesë protestat studentore, duke e cilësuar lëvizjen si një përpjekje që, sipas tij, shkon përtej interesave të vetë studentëve.
Ai ka thënë se mbështetja e opozitës do të shtrihet në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, ndërsa ka bërë thirrje që solidariteti me studentët të përfshijë edhe gjimnazet, bizneset e vogla dhe shtresa të tjera të shoqërisë.
“Opozita po e mbështet këtë revolucion, por edhe një herë, ky është organizim i studentëve dhe ne i mbështesim ata me të gjitha mundësitë tona. Në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, edhe sot në protestë janë të gjitha qytetet universitare të vendit. Do të bëjmë gjithçka që ky solidaritet të shtrihet në të gjitha gjimnazet, te bizneset e vogla, sepse studentët nuk po e bëjnë historinë vetëm për veten e tyre, por për familjen, për shoqërinë dhe për çdo shqiptar”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka vlerësuar rolin e opozitës në zhvillimet politike të Shqipërisë, duke përmendur anëtarësimin e vendit në NATO dhe procesin e integrimit evropian, si dhe angazhimin e saj në çështjet kombëtare.
Në fund të deklaratave të tij, Berisha ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se largimi i tij është, sipas opozitës, rruga për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
“Opozita është ajo para gjithë shqiptarëve që e ka anëtarësuar Shqipërinë në Evropë, e ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, ka luajtur rolin e pazëvendësueshëm në çështjen kombëtare dhe ka paguar çdo çmim për rolin e saj. Shqipëria e udhëhequr nga opozita nuk mund të jetë narkoshtet, shtet i karteleve të drogës. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të mos lejojë përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj krize të rëndë, e cila kërkon me çdo kusht zgjidhje. Dhe zgjidhja është largimi i Edi Ramës”, ka thënë Berisha.
Berisha ka ritheksuar kështu mbështetjen e tij për protestat studentore, ndërsa ka bërë thirrje për zgjerimin e mobilizimit qytetar kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
