Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar, teksa shtoi se protesta që po zhvillohet prej disa ditësh para godinës së Kryeministrisë, nuk është e organizuar nga Partia Demokratike.
I pyetur gjatë një konference për mediet për qëndrimin e PD-së ndaj protestës qytetare, Berisha tha se PD respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për t’u organizuar dhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre përmes protestës.
Berisha tha se PD nuk ka bërë asnjë thirrje për pjesëmarrje apo mbështetje organizative, raporton atsh.
“Qëndrimi ynë, ne mbështesim plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë. Në mënyrë të palëkundur. Qëndrimi ynë, ajo është një protestë që nuk është thirrur nga PD dhe nuk ka asnjë thirrje që të mbështetet nga PD. Kështu që ne, në moralin e plotë të qëndrimit ndaj protestave, nuk kemi asnjë tendencë, pra qëndrimi ynë është respektimi i plotë i protestës”, tha Berisha.
Sipas tij, qëndrimi i demokratëve është respektimi i plotë i protestës dhe i së drejtës së qytetarëve për të protestuar për çështjet që ata i konsiderojnë të rëndësishme.
Berisha shtoi se PD ka axhendën e saj politike dhe protestat e veta, të cilat janë të hapura për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të angazhohen.
“Nuk mund të marrim përsipër asnjë hap, i cili mund të krijojë debat të çfarëdolloji”, tha kreu i PD-së.
“PD ka axhendën e saj të protestave, dhe kur ajo thërret në protestë, ajo është e hapur për të gjithë qytetarët që duan të angazhohen. Në këtë kontekst, ne, thashë edhe njëherë, respektojmë plotësisht protestën”, tha Berisha.
