Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar emrat e disa personave që u plagosën gjatë protestës së djeshme në Tiranë.
Ai ka akuzuar efektivët si kriminelë e vrasës me uniformë të paguar, që shkrehin plumba mbi qytetarët në protestë. Nga i riu që dëmtoi syrin me plumb gome te gazetarët dhe ish-efektivët, Berisha publikoi emrat e të lënduarve në protestë dhe shprehu bindjen se studentët do ta fitojnë këtë betejë.
“Edi Rama zbatoi porosinë e Vuçiqit. Mos i kurse! Mos i kurseni! Janë shumë të tjerë të plagosur që nuk pranojnë të shkojnë në spitale nga frika e persekutimit.
Përdorimi i armëve me plumba gome lejohet vetëm në gjymtyrët e poshtme, kurse pas bekimit të Padronit, i cili i thotë se je treguar i butë me kundërshtarët, jep urdhër, e dëgjuan të gjithë, mos i kurseni. Si mund të japësh ti një urdhër të tillë? Ti je xhelat.
Absolutisht për atë urdhër do marrësh dënimet më të rënda, ti dhe ata vrasës të paguar që qëllojnë jashtë të gjitha kondicioneve ligjore”, tha Berisha.
Berisha i bëri thirrje kryeministrit Rama të dorëhiqet ndërsa demokratëve të qëndrojë krah studentëve.
