Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tahiri ka kritikuar mungesën e një qëndrimi institucional të Kuvendit të Kosovës, një javë pas vendimit, duke kërkuar që deputetët të mblidhen dhe të miratojnë një rezolutë.
“Sot është bërë një javë prej kur Dhomat e Specializuara në Hagë kanë marrë një vendim dënues ndaj katër çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky Kuvend, tash e një javë, ende nuk ka një qëndrim politik, institucional, shtetëror, një rezolutë që e dënon dhe që thërret për drejtësi dhe që në përmbajtje adreson çështje që për ne janë shumë problematike në atë vendim”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se “heshtja dhe kalkulimi politik nuk është dhe nuk duhet të jetë politikë ditore”, duke kërkuar që Kuvendi të mblidhet urgjentisht.
“Është urgjente që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mblidhet, të ketë një qëndrim politik, të ketë një rezolutë, mos kurrgjë, për të drejtën dhe për historinë e këtij vendi”, ka deklaruar ai.
Sipas Tahirit, qëndrimi i Kuvendit do të vlerësohet edhe nga gjeneratat e ardhshme.
“Tregimi i luftës tonë për liri është tregimi më i shenjtë. UÇK-ja është vlera më e madhe kombëtare”, ka shkruar ai.
Deputeti ka bërë thirrje që politika ditore dhe kalkulimet politike të lihen anash.
“Të bashkohemi dhe të mblidhemi sa më shpejt, t’i lëmë anash politikën ditore, kalkulimin ditor, për shkak se po flasim për një histori”, ka shkruar ai.
