Refuzimi i rikthimit të Fatmir Limajt në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka hapur një debat të ri politik, duke nxjerrë në pah edhe reagime të papritura nga brenda vetë partisë. Disa prej figurave të saj, si Ramiz Lladrovci dhe Artan Behrami, kanë shprehur mospajtim me vendimin, duke theksuar njëkohësisht respektimin e qëndrimit zyrtar.
Këto qëndrime të ndryshme brenda të njëjtës parti kanë rikthyer vëmendjen te dinamika e brendshme e PDK-së dhe kanë shtuar diskutimet për mundësinë e ekzistencës së ndarjeve apo pakënaqësive të brendshme që mund të ndikojnë në zhvillimet e saj politike.
E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Agim Vuniqi, i cili zbërtheu prapaskenat që e shtynë PDK-në ta refuzojë Limajn për listën e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas tij, rikthimi i Limajt do të rihapte disa çështje të brendshme që janë mbyllur me vite të tëra.
“Refuzimi i rikthimit të Fatmir Limajt në Partinë Demokratike të Kosovës nuk duhet parë thjesht si një vendim teknik apo procedural i partisë. Në thelb, ky është një reflektim i frikës politike nga pesha që Limaj ende e bart në memorien politike të ish-strukturave të UÇK-së dhe të vetë historisë së PDK-së. Për PDK-në, problemi nuk është nëse Limaj mund të bëhet deputet apo jo. Problemi është se rikthimi i tij do të rihapte shumë ekuilibra të brendshëm të ngrirë prej vitesh”, deklaroi ai.

Agim Vuniqi
Gjithashtu, Vuniqi përmendi faktin se, nëse do të rikthehej Limaj, do të ‘shkundej’ hierarkia e partisë. Madje, sipas tij, shumë figura do të ndiheshin të rrezikuara politikisht.
“Limaj nuk është figurë periferike. Ai ka qenë pjesë e brezit themelues politik dhe ushtarak që ndërtoi identitetin fillestar të PDK-së. Pikërisht për këtë arsye, rikthimi i tij do të prodhonte lëkundje të pashmangshme në hierarkinë aktuale të partisë. Shumë figura të sotme do ta ndienin veten të rrezikuara politikisht, sepse Limaj nuk hyn në politikë për të qenë dekor institucional apo ‘numër liste’. Ambicia dhe profili i tij politik historikisht kanë qenë më të mëdha se një mandat i zakonshëm deputeti.
Edhe eksperienca e tij me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e dëshmoi këtë. Ai iu bashkua koalicionit me Ramush Haradinajn, por ndarja ndodhi menjëherë pas zgjedhjeve, pikërisht sepse reputacioni dhe pesha politike e Limajt nuk mund të mbeteshin gjatë në plan të dytë. Për një figurë me histori lufte, strukturë organizative dhe ambicie politike të konsoliduar, pozita pas një lideri tjetër bëhet e përkohshme. Kjo është arsyeja pse brenda PDK-së ekzistonte frika se rikthimi i tij nuk do të sillte vetëm vota, por edhe rivalitete të reja të brendshme”.
Më tej, publicisti, duke parë gjithë këto zhvillime, duket se brenda kësaj partie ka tensione mes brezit që kërkon kontroll të centralizuar dhe atyre që mendojnë se PDK po humb identitetin tradicional politik.
“Dalja publike e figurave si Ramiz Lladrovci dhe Artan Behrami kundër vendimit zyrtar tregon se brenda PDK-së ka mendime të ndryshme strategjike për drejtimin e partisë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se partia është në prag shpërbërjeje, por sinjalizon se ekzistojnë tensione reale mes brezit që kërkon kontroll të centralizuar dhe atyre që mendojnë se PDK po humb identitetin tradicional politik dhe elektoral.
Vonesa e listës së kandidatëve për deputetë vetëm sa i shton perceptimet për negociata të brendshme dhe kalkulime të ndjeshme politike. Në partitë e mëdha, sidomos ato me histori të fortë fraksionesh, listat zgjedhore janë gjithmonë pasqyra më reale e raportit të forcave brenda partisë. Prandaj edhe çdo vonesë lexohet si sinjal i pazareve politike, pakënaqësive apo rivaliteteve të heshtura”, potencoi ai.
Ndër të tjera, Vuniqi nënvizoi se çështja e Limajt nuk është vetëm çështje kandidature, por edhe një lloj debati për kontrollin e memories politike të PDK-së.
“Sa i përket ndikimit elektoral, këto zhvillime mund të kenë efekt të dyfishtë. Nga njëra anë, PDK mund të ruajë disiplinën formale dhe të shmangë krijimin e një qendre të re gravitacioni rreth Limajt. Por nga ana tjetër, refuzimi i figurave me peshë historike mund të krijojë pakënaqësi te një pjesë e elektoratit tradicional të dalë nga struktura e luftës dhe ish-bazës së vjetër të partisë. Në politikën kosovare, simbolika personale shpesh ka peshë po aq sa programi politik.
Prandaj, çështja e Limajt nuk është vetëm çështje kandidature. Është debat për kontrollin e memories politike të PDK-së, për trashëgiminë e saj dhe për frikën se rikthimi i figurave të së kaluarës mund të ndryshojë ekuilibrat e së tashmes”, përmbylli Agim Vuniqi për “Bota sot”.
