Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci ka bërë të ditur se punimet për restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës po vazhdojnë me dinamikë të lartë, ndërsa për këtë projekt po investohen mbi shtatë milionë euro.
Përmes një postimi, Bogujevci ka njoftuar se gjatë ditës kanë vizituar Teatrin Kombëtar të Kosovës, së bashku me ekipin e menaxhimit të kontratës dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, të angazhuar në hartimin e projektit dhe mbikëqyrjen e punimeve.
Ajo ka theksuar se synimi është që restaurimi të realizohet me profesionalizëm dhe në përputhje me kërkesat për konservimin e ndërtesës, duke ruajtur karakterin e saj historik.
“Po investojmë mbi shtatë milionë euro për një Teatër Kombëtar me kushte të dinjitetshme për artistët, stafin dhe publikun artdashës, pa humbur karakterin historik të ndërtesës”, ka shkruar Bogujevci.
Investimi synon përmirësimin e kushteve për artistët dhe stafin e teatrit, si dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për publikun, duke ruajtur vlerat historike të këtij institucioni kulturor.
