Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, me të cilin ka diskutuar për ecurinë e projekteve të përbashkëta, sfidat dhe mundësitë për përfundimin e tyre gjatë këtij viti.
Në takim morën pjesë edhe zëvendësministri i parë, Ali Dula, si dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Ylber Çitaku.
Vëmendje e veçantë iu kushtua projektit “Ndërtimi i tregut të hapur në Shtime – faza e III-të”, procedurat e prokurimit për të cilin nuk ishin përfunduar gjatë vitit 2025.
Ministria e Zhvillimit Rajonal u zotua se do të angazhohet për sigurimin e mjeteve të nevojshme dhe për përmbylljen e këtij projekti, i cili konsiderohet me rëndësi për qytetarët e Shtimes.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për projektin “Rregullimi i parkut në Petrovë”.
Sipas synimeve të përbashkëta të palëve, të dy projektet pritet të përfundojnë dhe të përurohen gjatë vitit 2026, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Komunës së Shtimes synohet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2027 dhe në vijim.
