Lajme

Bordi i Paqes: Kosova kontribuon në sigurinë dhe rindërtimin e Gazës

Lidhur me marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Shqipërisë dhe Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), ka reaguar Bordi i Paqes, duke theksuar se ajo parasheh mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe kapacitetet e planifikimit të operacioneve të misionit në Gazë.

Në njoftim theksohet se kontributi i Shqipërisë u shtohet atyre të Kosovës dhe Marokut. Këto kontribute konsiderohen të rëndësishme për avancimin e qeverisjes, sigurisë, përpjekjeve humanitare, sundimit të ligjit dhe rindërtimit të Gazës.

Shqipëria ka nënshkruar sot marrëveshjen zyrtare me Bordin e Paqes për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë.

Ceremonia e nënshkrimit është zhvilluar në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, marrëveshja është nënshkruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe komandanti i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers.

Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, si dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt.

Të Ngjashme