Të kërkosh falje vazhdimisht, edhe kur nuk ke bërë asgjë të gabuar, mund të jetë më shumë se thjesht mirësjellje. Sipas psikologjisë, për disa njerëz “më fal” bëhet një refleks i mësuar që në fëmijëri, sidomos nëse janë rritur në ambiente ku duhej të shmangnin konfliktet ose të kënaqnin të tjerët.
Këta persona mund të kërkojnë falje kur bëjnë një pyetje, shprehin një mendim, kërkojnë ndihmë apo kanë një nevojë të tyre. Shpesh, pas kësaj fshihet frika nga reagimi i të tjerëve dhe një ndjenjë e tepruar faji.
Psikologët bëjnë dallimin mes një faljeje të shëndetshme, kur kemi bërë realisht një gabim, dhe faljes automatike, që përdoret për të shmangur konfliktin.
Një mënyrë për ta ndryshuar këtë zakon është të ndalosh për pak para se të thuash “më fal” dhe të pyesësh veten: “A kam bërë vërtet diçka të gabuar?” Nëse jo, provo ta zëvendësosh me një shprehje tjetër, si “faleminderit që më prite”, ose thjesht shprehe atë që dëshiron pa kërkuar falje.
Të mos kërkosh falje për çdo gjë nuk të bën më pak të sjellshëm; të ndihmon të dallosh mes përgjegjësisë dhe fajit që nuk të përket.
