Lajme

Çfarë ndryshimesh pësuan listat e partive për zgjedhjet e qershorit?

Bartës të rinj, lëvizje të kandidatëve nga një parti politike në tjetrën, lënie jashtë dhjetëshes së parë të figurave të njohura partiake e madje edhe jashtë garës: këto janë ndryshimet në listat zgjedhore të subjekteve kryesore politike shqiptare për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

Sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, listat e kandidatëve për deputetë janë refleksion i dinamikave brenda subjekteve politike.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se nga përbërja e listave e nga renditja e kandidatëve në to mund të kuptohet gjendja aktuale e partive e orientimet e tyre në të ardhmen.

Muhaxheri shton se, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës – që mandatin e kaluar u rendit e treta – partitë e tjera “nuk kanë pasur as vullnet e as guxim” t`i reformojnë listat e kandidatëve.

“Kjo është një shenjë e qartë që nuk kanë plan ta bëjnë ndonjë reformë të mirëfilltë dhe do të vazhdojnë me qasjen të cilën e kanë pasur deri më tash, pra edhe sa i përket adresimit të problemeve të qytetarëve, por edhe të ofrimit të ofertave konkrete”, thotë Muhaxhiri.

Pse ndryshoi renditja e kandidatëve në listat zgjedhore?

Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, subjektet publikuan listat, ku u vërejtën edhe ndryshime të renditjes së kandidatëve krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit.

Në LDK, ndryshimi nis qysh në bartësin e listës: aty është vendosur ish-anëtarja e këtij subjekti dhe ish-presidentja Vjosa Osmani, dhe pas saj është kreu partiak, Lumir Abdixhiku.

Lista e këtij subjekti ka pësuar ndryshime edhe në dhjetëshen e parë. Aty mungojnë dy ish-deputetët, Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami, teksa janë përfshirë Albena Reshitaj dhe Jeta Statovci që ishin pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Para se të publikohej lista, Hoti, që më herët ka mbajtur edhe postin e kryeministrit, shkroi në Facebook se numri i vetëm që është i rëndësishëm është ai i partisë, teksa “numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët”.

Ndërkaq, Bajrami tha se nuk paraqet problem vendosja e saj në listë pas “njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në”, referencë për kandidatët që u prezantuan nga ish-presidentja Osmani, e cila më 2020 kishte ndarë rrugët me LDK-në.

Jashtë garës kanë mbetur edhe ish-deputetët e LDK-së Driton Slemanaj, Vlora Dumoshi, Ismet Beqiri, Krenar Xhaferi e Rrezarta Krasniqi.

Në Partinë Demokratike të Kosovës – që në zgjedhjet e dhjetorit u rendit partia e dytë – në dhjetëshen e parë kësaj radhe kanë hyrë ish-deputetët Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, të cilët në zgjedhjet e fundit ishin në vendin e 15-të, respektivisht në të 30-tin.

Por, jashtë dhjetëshes së parë mbeti Eman Rrahmani, e krejt jashtë garës mbeti Kujtim Gashi, që më herët ka mbajtur postin e ministrit. Po ashtu nuk garon as ish-deputeti Abelard Tahiri dhe ish-kreu i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Përbërja e listës së PDK-së që udhëhiqet nga Bedri Hamza, për Muhaxhirin është rezultat i “mungesës së guximit” e të planifikimit të ndonjë reforme, teksa thotë se kjo parti është e fokusuar më shumë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku dy ish-krerët partiakë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli presin vendimin për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“PDK-ja ka sytë dhe mendjen drejt Hagës dhe mbase edhe pa një rezultat final nga gjykata e Hagës nuk mund të pritet ndonjë reformë e mirëfilltë”, vlerëson Muhaxhiri.

Ndryshime pësoi edhe lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila u rendit e treta nga partitë shqiptare në votimet e dhjetorit. Tani, bartës i listës është kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, teksa kreu aktual partiak, ish-kryeministri Ramush Haradinaj gjendet në vendin e 11-të.

Në dhjetëshe po ashtu kanë hyrë Avni Arifi e Burim Ramadani, ndërkaq jashtë garës kanë mbetur Pal Lekaj e Gani Dreshaj dhe Shemsedin Dreshaj.

Gjini, përveç se është bartës liste, është edhe kandidat i AAK-së për kryeministër. Për Muhaxhirin, tërheqja e Haradinajt nga gara për kryeministër është vendim i duhur, ndonëse e vlerëson si sfidues për Gjinin, i cili pritet po ashtu të konfirmohet më vonë si kryetar i ri partiak.

“Ndryshimi edhe i kryetarllëkut, por edhe i kandidaturës për kryeministër, e imponon këtë ndryshim edhe në teren dhe është një sfidë e madhe të cilën zoti Gjini do të duhet që ta balancojë mes historisë dhe realitetit”, vlerëson ai.

Lëvizja Vetëvendosje, në pushtet, ndërkaq, ka më pak ndryshime në listë dhe dhjetëshja e parë mbetet e pandryshuar, teksa partia garon për mandatin e katërt të Kurtit në postin e kryeministrit.

Muhaxhiri thotë se ka pritur që lista e kësaj partie të mos ketë ndryshime të mëdha. Sipas tij, Kurti është “i patrazuar” në strukturat e partisë.

“Atij i konvenon që ta bëjë një copy-paste dhe të vazhdojë në mënyrë të njëjtë siç ka qenë deri më tani, edhe pse kjo gjithsesi se ndikon në cenimin e kualitetit të debatit brendapartiak, por edhe të ideve. Sepse nuk mund të pritet një gjë e tillë në një parti e cila vepron me kaq uniformitet dhe ku nuk ka asnjë indikacion se mund të ketë ndonjë ndryshim politik”, thekson Muhaxhiri.

Por, disa figura të LVV-së kanë mbetur jashtë garës. Aty nuk janë përfshirë ish-zëvendësministrat Hysen Durmishi, Dafina Gexha, Blerim Sallahu e Agon Dobruna. Po ashtu nuk janë përfshirë as ish-kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ish-kandidatja për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci, e ish-deputetët Driton Hyseni e Gramos Agusholli.

Përveç largimeve të disa figurave nga listat, në LVV ka edhe emra të rinj që garojnë në zgjedhjet e qershorit. Në mesin e tyre janë zëvendësministrat në detyrë Arton Konushevci dhe Triera Kasumi- Berisha, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, e aktivistja Adelina Tërshani.

Në PDK, vetë kreu i partisë, Bedri Hamza, tha se mbi gjysma e listës me kandidatë për deputetë përbëhet nga emra të rinj, duke argumentuar se ky ndryshim është “si pjesë e përkushtimit të PDK-së për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj”.

Në listën e kësaj partie, veç tjerash është përfshirë Rrustem Mustafa – që më herët ka qenë deputetë, ish-deputetja e Partisë Socialdemokrate Aida Dërguti dhe ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Kritika për listat

Pas publikimit të listave pasuan edhe kritikat për to, veçmas për përfshirjen e disa figurave.

Analisti politik, Ilir Deda, shkroi në rrjetet sociale se LVV, PDK dhe LDK rinadiduan njerëz “që kanë manipuluar me vota më 28 dhjetor” – duke iu referuar ndryshimeve që u vërejtën në votat e disa kandidatëve për deputetë në disa parti, përfshirë edhe në PDK.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se në listën e kandidatëve për deputetë, Lëvizja Vetëvendosje ka përfshirë persona që janë të dënuar për vepra penale e të akuzuar për korrupsion e vepra të tjera penale.

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit garojnë 18 parti politike, tri koalicione, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Risi është që kësaj radhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk garon fare, teksa PDK-ja ia refuzoi kërkesën që figura të kësaj partie të përfshiheshin në listën e saj. Ndërkaq, garës i është rikthyer edhe Partia Socialdemokrate me gjithsej gjashtë kandidatë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, për 120 vende në Kuvend garojnë 917 kandidatë, nga të cilët 603 janë burra dhe 314 janë gra.

Të Ngjashme