Të paktën 18 fluturime në disa vende të Evropës janë prekur nga kërcënime me bomba gjatë ditës së sotme, duke shkaktuar devijime avionësh, kontrolle të shtuara sigurie dhe ndërprerje të përkohshme të operacioneve në disa aeroporte.
Kërcënimet, të cilat deri më tani nuk janë konfirmuar dhe kanë rezultuar të pabazuara në rastet e kontrolluara, kanë prekur kryesisht kompanitë ajrore me kosto të ulët dhe fluturimet drejt ose nga Italia, Bullgaria dhe Republika Çeke.
Në Itali janë raportuar gjashtë fluturime të prekura, mes tyre linja Milano-Varshavë, Milano–Bukuresht, Selanik–Milano, Porto–Milano, Helsinki–Romë dhe Dublin–Romë. Disa avionë janë detyruar të ndryshojnë itinerarin, duke u ulur në aeroporte alternative në Vjenë dhe Francë.
Edhe në vende të tjera evropiane u prekën disa fluturime. Në Bullgari, tre avionë u shoqëruan nga avionë luftarakë MiG-29 deri në ulje, ndërsa në Pragë policia aktivizoi masat e sigurisë për kontrollin e katër avionëve.
Deri tani, kontrollet në avioët në Bullgari dhe Pragë nuk kanë zbuluar eksplozivë apo objekte të dyshimta. Edhe në fluturimin Varshavë–Bruksel, autoritetet konfirmuan rezultate negative pas kontrolleve.
Hetuesit dyshojnë për një koordinim të mundshëm në nivel evropian. Sipas informacioneve paraprake, kërcënimet janë dërguar përmes email-eve anonime, disa prej tyre të shkruara në italisht dhe të drejtuara ndaj aeroporteve dhe kompanive ajrore. Autoritetet italiane kanë nisur punën për identifikimin e serverëve dhe adresave IP nga të cilat janë dërguar mesazhet.
Komisioneri i Transportit i Bashkimit Evropian, Apostolos Tzitzikostas, i cilësoi kërcënimet ndaj civilëve si të papranueshme dhe kërkoi bashkëpunim mes autoriteteve kombëtare, aeroporteve, kompanive ajrore dhe strukturave të sigurisë.
