Lajme

Çfarë po ndodh me produktet e kompanisë Vita?

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) mbrëmjen e së premtes njoftoi se ka urdhëruar të tërhiqen nga tregu 12 produkte të Qumështores Vita. Kjo pasi tha se në ato produkte janë paraqitur që kanë përmbajtje shtazore, është konstatuar “prani e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar”.

Njoftimi i AUV-it, erdhi vetëm disa orë pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njoftoi për tërheqjen nga tregu të disa produkteve të qumështit nga kompani të tjera, por jo nga Vita. Kompania ndërkaq, publikoi disa rezultate, që pretendoi se vërtetojnë se në qumështin e saj nuk ka vaj palme.

“Për produktet e kompanisë ‘Abrazen-Vita’, procesi i inspektimit ende është në zhvillim”, tha MINTI në njoftimin e dërguar në orën 20:00, pak më shumë se dy orë para se AUV-i të dilte me njoftimin e ndarë.

Sipas AUV-së, gjetjet më serioze lidhen me qumështin.

“Katër mostra të katër produkteve të shitura, prezantuara dhe deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme: dy me prani të vajit të palmës dhe dy me prani të qumështit pluhur, të padeklaruara për konsumatorin. Këto produkte kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit”, tha AUV-ja.

Po ashtu, sipas kësaj agjencie, që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë kontrollit është konstatuar se 26 produkte me përmbajtje bimore të prodhuara “jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit”. AUV tha se për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit deri në marrjen e aprovimit përkatës nga agjencia.

“Masat e ndërmarra përfshijnë tërheqjen e 12 produkteve jokonforme nga tregu, mbikëqyrjen e shtuar dhe ritestimin e vazhdueshëm të linjës së qumështit, ndalimin e prodhimit të 26 produkteve jashtë aprovimit, ndalimin e paraqitjes mashtruese të produkteve dhe ndalimin e lëshimit të certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve”, u tha në njoftim.

Ndërkaq, MINTI tha se ka urdhëruar nëntë kompani që të ndalin përpunimin dhe paketimin e produkteve që kanë yndyrë me origjinë bimore dhe t’i largojnë nga tregu.

Para se të urdhërohej tërheqja e produkteve, Qumështorja Vita publikoi në rrjetet sociale rezultate të AUV-së, që sipas kompanisë konfirmojnë se produktet e saj nuk përmbajnë vaj palme.

MINTI ka nisur inspektimet në sektorin e qumështit më 6 gusht dhe ka paralajmëruar për ndëshkime dhe tërheqje të produkteve nga tregu në rast se etiketat e produkteve të qumështit ka deklarim të pasaktë ose modeklarim të përdorimit të qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë.

Kontrollet nisën pasi më 4 gusht, AUV prezantoi gjetje, dhe tha se në rreth 20 për qind të mostrave të analizuara të produkteve të qumështit në Kosovë, pati mospërputhje mes përbërësve dhe deklarimeve në etiketë.

Shumica e mospërputhjeve kishin të bënin me praninë, por jo me deklarimin e vajit të palmës.

Gjetjet u publikuan pas një kontrolli të përgjithshëm për rreth 3 muaj të kryer nga AUV-ja.

Debati për çështjen e sigurisë së produkteve të qumështit u intensifikua në fillim të korrikut, pasi inspektorët e AUV-së, më 2 korrik, kryen kontrolle në fabrikën Vita në Istog, ku morën mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike.

Teksa priteshin rezultatet përfundimtare, kompania pezulloi përkohësisht punën duke çuar në përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja.

Drejtuesit e kompanisë e konsideruan këtë kontroll selektiv dhe e akuzuan ekzekutivin se po i trajton sikur të ishin “kriminelë”.

Në rezultatet që AUV prezantoi në konferencën e 4 gushtit ishin listuar edhe disa mostra të kompanisë Abrazen, që është kompania amë e Qumështores Vita.

Në listën e prezantuar, shkruhej se në mostrën “qumësht”, vaji i palmës është detektuar por jo i deklaruar.

Pas gjetjeve të publikuara, Vita mohoi se në qumështin e saj ka vaj palme.

Sipas legjislacionit aktual në Kosovë, nuk ka një kufi të veçantë që përcakton se në çfarë sasie mund të përdoret vaji i palmës në produktet ushqimore dhe ato të qumështit.

Megjithatë, sipas një rregulloreje të Bashkimit Evropian, produkte të qumështit konsiderohen ato produkte që nxirren nga qumështi dhe që gjatë prodhimit të tyre nuk është shtuar asnjë substancë që zëvendëson një përbërës të qumështit.

Madje termat si “djathë”, “kos”, “gjalpë” rezervohen vetëm për produkte nga qumështi, e që nuk lejohet të përdoren për produkte që kanë të shtuara yndyra bimore për t’i zëvendësuar yndyrat shtazore të qumështit. / REL

Të Ngjashme