Gazetari i luftës, Nuhi Bytyçi, tregoi për intervistën që e kishte bërë gjatë vitit 1998 me komandantin Sahit Jasharin, i cili vdiq dje.
Bytyçi tha se komandant Sahit Jasharin për herë të parë e kishte takuar në qershor të vitit 1998 në Likoc të Drenicës, ku ka qenë edhe Shtabi i Zonës Operative të Drenicës, teksa rrëfimin e tij e përshkroi si spontan dhe energjik, ashtu siç ishte vetë Sahiti.
Gazetari Bytyçi flet për intervistën e parë të Sahit Jasharit: Ishte shumë spontan e energjik, si vetë ai
“Komandant Sahit Jasharin për herë të parë e kam takuar në qershor të vitit 1998 në Likoc të Drenicës, ku ka qenë Shtabi i Zonës Operative të Drenicës. Isha duke e përgatitur dokumentarin e parë kushtuar UÇK-së dhe vlerësova se në këtë dokumentar duhet të marrë pjesë edhe Sahit Jashari, njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili në atë kohë ishte edhe komandant i Policisë Ushtarake të UÇK-së të Zonës së Drenicës. Rrëfimi i tij ishte shumë spontan, ashtu siç ka qenë Sahiti, shumë i natyrshëm, por energjik, i vendosur dhe gjithmonë optimist për aspiratën e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Shumë vështirë ka qenë që të realizohen intervistat në atë kohë, sepse një pjesë e njerëzve hezitonin që të jepnin intervista, sepse ishin familjet e tyre në qytete dhe vendbanime, ku policia serbe i bastiste familjet e tyre dhe ato rrezikoheshin. E mbaj mend vullnetin e jashtëzakonshëm të ushtarëve të UÇK-së në mesin e të cilëve ka qenë edhe komandant Sahit Jashari”, tha Bytyçi për KosovaPress.
Në këtë prononcim të shkurtër, Sahit Jashari kështu fliste gjatë luftës më 1998.
Sahit Jashari: Policia ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e përgatitur profesionalisht
“Policia ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e përgatitur profesionalisht dhe është çdo herë e gatshme që t’i kryej urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm të Kosovës”.
Bytyçi tregoi se vetë Sahit Jashari e kishte vozitur në zonat e luftës në Drenicë gjatë kohës sa po realizonte një emision tjetër dokumentar, teksa ndau një detaj, ku Sahit Jashari po qëndronte pranë Shtabit të Zonës Operative të Drenicës dhe e kishte një motor.
Gazetari Bytyçi përmend një detaj të Sahit Jasharit gjatë kohës së luftës
“E mbaj mend detajin kur Sahiti ishte duke qëndruar pranë Shtabit të Zonës Operative të Drenicës dhe e pashë me një motor, më la përshtypje të veçantë sepse kishte një motor shumë të mirë dhe thashë ‘Sahit, kam dëshirë që t’i bëjmë disa pamje bashkë me kameramanin Abaz Zeka’, disa pamje duke vozitur motorin dhe me emblemën e UÇK-së. Pastaj, me makinën e tij zyrtare me tabela zyrtare UÇK që kishin filluar në atë kohë për herë të parë të qarkullonin. Të gjitha ato fjalë që i thoshte, i thoshte me mbulesë dhe optimizëm se populli i Kosovës do ta fitojë lirinë e vet. Sahiti duhet të kujtohet si një shembull shumë pozitiv të një luftëtari të vendosur, të një luftëtari që ka kontribuar në momentet më të vështira bashkë me komandantin legjendar Adem Jashari, në bërthamën e parë të UÇK-së”, tha Bytyçi.
Gazetari Bytyçi tha se e vlerëson Sahit Jasharin si njeri, i cili ka kontribuar në institucionet e Kosovës, konkretisht në Policinë e Kosovës edhe pas përfundimit të luftës dhe si një njeri, i cili kurrë s’ka kërkuar privilegje për vete e familjen e tij, por e ka dhënë maksimumin për shtetin e Kosovës.
Komandant Sahit Jashari është varrosur sot në Prekaz, ndërsa gjatë ditës është mbajtur edhe një mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së tij.
