Lajme

Çitaku ofroi tërheqjen e lëndëve nga Kushtetuesja, VV i përgjigjet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj deklaratës së sekretares së Përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, lidhur me Gjykatën Kushtetuese dhe Dhomat e Specializuara.

Çitaku ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme t’i tërheqë lëndët e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, nëse Lëvizja Vetëvendosje zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në reagimin e tij, Rrustemi ka kërkuar që çështja e Gjykatës Speciale të trajtohet jashtë kalkulimeve politike.

“Vlora Çitaku, nuk është bre gjithçka kalkulim politik. Të paktën çështjes së Gjykatës Speciale t’i qasemi pa kalkulime e me pak më shumë prioritet”, ka shkruar Rrustemi.

Postimi i plotë:

Vlora Çitaku, nuk është bre gjithçka kalkulim politik. Të paktën çështjes së Gjykatës Speciale t’i qasemi pa kalkulime e me pak më shumë prioritet.

Çka është kjo sjellje politike, njëherë thoni nuk kemi Kuvend, e çoni në Gjykatë Kushtetuese, bojkotoni kompletimin e kryesisë, pastaj i drejtoheni Kuvendit që e konsideroni antikushtetues dhe thuani i tërheqim kërkesat në Kushtetuese.

Ju lutem për pak seriozitet, më shumë reflektim për gabimet fatale të shkuara nga të cilat duhet të nxirren mësime dhe të kemi strategji shtetërore të bashkërenduar për mbështetje të procesit të padrejtë në Hagë.

Të Ngjashme