Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konference per media ka akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, se po ‘vepron në kundërshtim me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuesse dhe Rregulloren e Kuvendit’.
Çitaku: Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën
“Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit dhe po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij. Kjo nuk është shkelja e parë. Fillimisht, Kuvendi nuk u konstitua brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, më pas u shpërfill detyrimi procedural për vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë dhe tani, pas kërkesës sonë, siç e pamë, u refuzua thirrja e seancës”, tha Çitaku.
Sipas deputetes së PDK-së, institucionet e Kosovës nuk mund të funksionojnë mbi bazën e vullnetit të një partie politike.
Çitaku: Kushtetuta po zbatohet veç kur i përshtatet një partie
“Nuk kemi të bëjmë me një incident procedural. Kemi një model të sjelljes politike. Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie. Kjo është e papranueshme. Kur vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën, mbi rregullat dhe mbi institucionet, atëherë kemi suspendim praktik të rendit kushtetues dhe të demokracisë”, u shpreh ajo.
Çitaku tha se Kuvendi është efektivisht i mbyllur dhe se deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.
Çitaku: Kuvendi është efektivisht i mbyllur
“Kuvendi është efektivisht i mbyllur, deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandateve të tyre. Këto mandate nuk na i ka dhënë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Mandatet na i ka dhënë qytetari i Republikës së Kosovës më 7 qershor”, deklaroi Çitaku.
Çitaku ka thënë se PDK-ja nuk po kërkon pushtet apo marrëveshje politike për partinë, por funksionalizimin e institucioneve të shtetit.
Çitaku: Nuk po kërkojmë pushtet, nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në
“Nuk po kërkojmë pushtet, nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në, po kërkojmë funksionalizimin e shtetit. Ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh dhe aktiviteti ynë nuk do të kufizohet më brenda këtij institucioni. Ai do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit, në forma më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar”, tha ajo.
Tutje, ajo u shpreh se do të bashkëbisedojnë me qytetarë, përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë, studentë, mjekë, biznesmenë e ndërmarrës, pasi u shpreh se ky kaos politik, sipas saj, e prek secilin.
Çitaku: Në vijim do ta shihni se PDK-ja do të jetë aktive çdo ditë, nesër jemi në kuvend
“Kur po flas jashtë mureve të kuvendit, po flas edhe për bashkëbisedime me qytetarë, bashkëbisedime me përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë, me studentë, mjekë, biznesmenë, ndërmarrës, sepse ky kaos politik dhe kjo anarki kushtetuese e prek secilin. Po e përsëris, nuk bëhet fjalë këtu për dhënie betimi e zgjedhje kryetari kuvendi e nënkryetarësh. Shteti është i bllokuar, këtë nuk do ta lejojmë. Do ta shihni ditëve në vijim se PDK do të jetë aktive çdo ditë. Ne do të jemi çdo ditë në kuvend, ndërsa kërkesën zyrtare do t’ia dorëzojmë Deharit sërish. Nesër do të jemi në pritje në kuvend dhe do të ketë edhe aktivitete të tjera”, tha ajo.
Gjatë ditës, deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thirret vazhdimi i seancës konstituive. Gjatë kësaj kohe pati disa raste ku pati shtyrje fizike në mes deputetëve të partive ish-opozitare dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
