Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Çka është mirëqenia holistike?

Sipas Psychology Today, mjekësia holistike është arti dhe shkenca e shërimit që i drejtohet të gjithë personit – trupit, mendjes dhe shpirtit. Pra, është qasje që kur trajton gjendjet psikiatrike merr në konsideratë të gjithë individin.

Pikëpamja holistike e shëndetit ka ekzistuar prej shekujsh, ani pse në Kosovë nuk është gjithaq e njohur.

Për të diskutuar për këtë temë por edhe temave të tjera që lidhen me shëndetin mendor, në emisionin “LIBERO” ishte e ftuar Arsa Kryeziu, mentore e Zhvillimit Personal e cila shpjegoi në detaje mirëqenien holistike, duke përmendur gërshetimin e tri shtyllave kryesore të njeriut – mendjes, shpirtit dhe trupit.

“…Qasja ndaj shëndetit bëhet në bazë të tri shtyllave kryesore qe ne si qenie jemi: trupi, mendja dhe shpirti. Kur këto tria janë në balancë dhe në harmoni, ne mund të themi se ne e kemi një mirëqenie të përgjithshme apo holistike…”, theksoi Kryeziu.

Gjithashtu, ajo e shpjegoi mirëqenien holistike edhe nëpërmjet një shembulli praktik.

“…Kur na dhemb koka, nuk duhet ta mendojmë që problemi është vetëm aty. Ndoshta emocionalisht nuk kemi qenë mirë, ndoshta jemi ekspozuar në ndonjë ambient përreth nesh që nuk na ka bërë mirë… domethënë është një qasje e përgjithshme…”, theksoi ajo.

Vlen ta potencojmë që në një kuptim më të gjerë, sipas National Institutes of Health (NIH), mjekësia holistike është një qasje qëndrimi ndaj kujdesit shëndetësor dhe jo një grup teknikash të veçanta. Ajo trajton dimensionet psikologjike, shoqërore, familjare, etike dhe shpirtërore, si dhe biologjike të shëndetit dhe sëmundjes.

Gjithashtu, pikëpamja holistike e psikiatrisë dhe mjekësisë ka çuar në mundësi më të mira trajtimi për pacientët me sëmundje kronike.

Për ta shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm: