Lajme

Haxhiu në Bruksel takon eurodeputetin kroat, kërkon mbështetjen e Kroacisë për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe KiE

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në Bruksel ka zhvilluar një takim me eurodeputetin kroat Davor Ivo Stier, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe rrugën evropiane të vendit.

Ajo ka theksuar se të dyja vendet i lidh një miqësi e vjetër, e ndërtuar mbi mbështetjen e ndërsjellë, duke kujtuar se shqiptarët qëndruan përkrah Kroacisë gjatë luftës, ndërsa Kroacia ishte ndër vendet e para të rajonit që njohu pavarësinë e Kosovës.

Haxhiu ka falënderuar Stierin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ka bërë të ditur se i ka kërkuar përkrahjen e tij për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

Ajo ka theksuar gjithashtu se Kosova është e përkushtuar t’i përmbushë detyrimet në rrugën drejt BE-së, ndërsa përvoja e Kroacisë në këtë proces mbetet e rëndësishme.

Sipas saj, Kuvendi i Kosovës tashmë ka formuar delegacionin në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe është i gatshëm që takimi i radhës të mbahet sa më shpejt.

Postimi i plotë:

Kosovën dhe Kroacinë i lidh një miqësi e vjetër, të cilën e ndjemë edhe sot në Bruksel, gjatë takimit me eurodeputetin kroat Davor Ivo Stier.

Shumë shqiptarë qëndruan përkrah Kroacisë gjatë luftës së saj, ndërsa Kroacia ishte ndër vendet e para të rajonit që e njohën pavarësinë e Kosovës. Këto lidhje i forcon edhe komuniteti i arbëneshëve të Zarës, që jeton në Kroaci prej shekujsh.

E falënderova Stierin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, dikur si ministër i Jashtëm i Kroacisë e sot si bashkëkryesues i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë. Kuvendi i Kosovës e ka formuar tashmë delegacionin e tij në këtë komision dhe është i gatshëm që takimi i radhës të mbahet sa më shpejt.

Në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi ynë për anëtarësim në BE. Theksova se jemi të përkushtuar t’i përmbushim detyrimet që vijnë me këtë rrugë dhe se përvoja e Kroacisë na vlen shumë. Kërkova edhe mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Me miq si Kroacia, rruga jonë evropiane bëhet më e lehtë.

Të Ngjashme