Lajme

Çun Lajçi shpërthen ndaj opozitës: S’e doni Republikën, e doni xhepin, pallatet që ndërtuat me paratë tona

Shkrimtari dhe aktori i njohur Çun Lajçi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke kritikuar opozitën për mungesën në seancën e Kuvendit ku pritej të votohej për presidente Feride Rushiti.

Në një shkrim të gjatë dhe emocional, Lajçi akuzon liderët opozitarë: Lumir Abdixhikun dhe Bedri Hamzën se nuk kanë arritur të fitojnë besimin e qytetarëve dhe se, sipas tij, nuk treguan përgjegjësi në një moment të rëndësishëm për shtetin.

Ai e cilëson si të papranueshme mungesën e deputetëve opozitarë në Kuvend, duke theksuar se, pavarësisht qëndrimeve politike, ata duhej të ishin të pranishëm në një proces kaq të rëndësishëm për vendin.

Lajçi vlerëson lart figurën e Feride Rushiti, duke e quajtur atë “nder i kombit” dhe një emër që, sipas tij, nuk e turpëron Kosovën. Ai shton se për një kandidate të tillë, deputetët duhej të merrnin pjesë në seancë, qoftë edhe pa votuar.

Në reagimin e tij, ai përdor tone të forta kritike ndaj klasës politike, duke i akuzuar për interesa personale, përfshirë pasurimin dhe rehati, në dëm të interesit shtetëror.

Reagimi i plotë:

Jo — ju s’e doni Republikën.

S’e doni shtetin.

Nga hiçi po ia nisi.

Nga Lumiri e Bedriu — që as nuk deshtën, as nuk dijtën, e as nuk u munduen me dijtë si fitohet dashnia e popullit.

– E unë kërkova për ta mend e krye — Shkup e Shkodër.

Sa i marrë jam!

Ndërkohë ata dy vjet i rrotulluen gurët, thue se shteti ishte mshefë nën ta.

Nuk e panë që nën gurë ishte hiçi dhe vetja e tyne, tue u fundosë në të.

– E unë, prapë, katër vilajete i shkela — për plisat e tyne.

Pastaj erdhi nata e fundit.

Jo “darka e fundit”, se aty s’kishte as bukë, as besë. Ishte darka e “lamës” dhe Kurti me emnin nga xhepi!

Kuvendi votonte një Presidente. Z.Rushiti, nji emën që nuk i turpnonte.

Kryetarja i thërriste deputetët me radhë — si në regjistër shkolle.

Ata nuk hynë.

Ishte ma e lehtë me folë n’hollin e Kuvendit. Para kamerave.

Për “puçin”.

Fjala e madhe gjithmonë e gjen vendin ma të vogël për me u thanë.

– E unë shkova n’Mirditë me marrë tirçit e Gjonmarkagjonajve,

për Bedriun, Lumirin e Albinin.

Sa i çmendur jam!

Mbramë gjithçka mund të shkonte mbrapsht, por propozimi për Presidenten e Kosovës ishte i mbarë.

Zonja Rushiti asht nderi i kombit. Fjala e bardhë e Kosovës.

Asht emën që i ban nder atdheut.

Për nji Presidente si ajo, deputetët opozitarë — ata që thirren në dashuninë e madhe për Kosovën — mbramë asht dashtë me qenë në Kuvend, pa marrë parasysh a votojnë a heshtin.

Sa turp!

Deputetët që flasin për dashninë e madhe që kan për Kosovën

mbramë patën një rast të vogël:

me qenë aty.

E nuk ishin!

– Kur votohej për faljën e Çakorrit, në 12 të natës, për mes tymit e rrapëllimave mblidhëshin deputetët!

Jo — ju s’e doni Republikën.

S’e doni shtetin.

Ju doni atë që nuk duket në fjalë:

xhepin,

pallatet që ndertuet me paratë tona,

rehatinë.

E kur këto nuk ju mjaftojnë, ktheheni te e vjetra:

grushti mbi koka

e hekurat n’duer.

Të Ngjashme