Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sot projektbuxhetin 2027, duke thënë se politikat e Qeverisë janë të përqendruara në ndihma sociale, ndërsa vendi ka nevojë për investime që do të ndikonin në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin e ardhshëm, Abdixhiku tha se ndihmat financiare janë të nevojshme për qytetarët, por sipas tij, ato nuk mund të jenë zgjidhje afatgjatë për problemet ekonomike të vendit.
Ai theksoi se rritja e çmimeve dhe inflacioni po e rëndojnë gjendjen e familjeve kosovare, ndërsa mungesa e investimeve po e pengon përmirësimin e mirëqenies së tyre.
Abdixhiku: Rritja e çmimeve dhe inflacioni po rëndon gjendjen e familjeve kosovare
“Një buxhet që premton paga më të larta, shtesa për fëmijë, nevoja e njerëzve është e madhe, çdo ndihmë pritet me shpresë dhe rrethanat e tanishme kjo ndihmë është e vetmja. Shihni inflacionin e këtij viti, pastaj tregoni një familjes kosovare që pret ndihmat e shtetit, sesi mjet vetëm ndihmese i këtyre ndihmave është edhe burimi i problemeve tyre. Prandaj, e kuptoj vështirësinë e një teme si kjo në sy të publikut. Kjo e vërtetë na thotë qartë se me shtet social, me ndihma, pa investime nuk kemi për të pasur asnjëherë jetë të mirë në Kosovë, do vazhdojmë të mbesin të fundit në Evropë kështu”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së paralajmëroi se mbështetja e vazhdueshme në ndihma financiare, pa investime të mjaftueshme, sipas tij, mund të krijojë një cikël të rritjes së çmimeve dhe nevojës për mbështetje të mëtejshme nga shteti.
Ai kërkoi që Qeveria t’u japë përparësi investimeve në sektorët strategjikë, veçanërisht në energji dhe infrastrukturë, duke theksuar se vendi ka nevojë për projekte të mëdha zhvillimore.
Abdixhiku: Qeveria t’u jep përparësi investimeve në sektorët strategjikë
“Do na rriten më shumë çmimet, do kemi nevojë për më shumë ndihma për këto çmime, e këto ndihma do të rrisin përsëri çmimet. Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike do të mbesim pa gjënë e vetme, pa investime.. Mund të bëhen dyja edhe ndihmat edhe investimet, por më shumë investime sesa ndihma. Kjo duhet të jetë politika e vendit më të varfër në Evropë. Nuk ka sektorë që nuk ka nevojë për investime drastike. Duhet të kemi investime në energji, po blejmë rrymë. Mundemi të ndërtojmë centrale të reja. Duhet të ketë investime në infrastrukturë, në rrugë. Marre e madhe për besë që ende flasim për asfalt, vetëm rrugë duhet me shtrua”, tha Abdixhiku.
Ndryshe, projektbuxheti për vitin 2027, i prezantuar nga kryeministri Albin Kurti, parasheh 4,27 miliardë euro.
