Lajme

Katër pikat kryesore të dakordësuara në takimin trepalësh, sipas Shtëpisë së Bardhë

Shtëpia e Bardhë ka publikuar gjithashtu një deklaratë mbi rezultatet e takimit trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, e cila përmban të njëjtat pika kryesore si deklarata e përbashkët e tre vendeve.

“Të tre krerët e shteteve patën një shkëmbim të thellë pikëpamjesh mbi situatën aktuale ndërkombëtare dhe u angazhuan për ruajtjen e stabilitetit strategjik dhe sigurisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Deklarata rendit katër pika kryesore të dakordësuara nga palët:

Kina, SHBA-të dhe Rusia janë “angazhuar të reformojnë OKB-në” me synimin për t’iu përgjigjur në mënyrë më efektive sfidave globale.

Të tre vendet “planifikojnë të rrisin” prodhimin dhe furnizimin me produkte nafte.

Palët ranë dakord se Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe institucione të tjera të ngjashme “nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre”.

Të tre vendet “do të zhvillojnë një dialog mbi uljen e rreziqeve bërthamore” dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.

Ndërkohë, vëmendja ishte përqendruar edhe te mundësia e zgjatjes së armëpushimit tregtar mes SHBA-ve dhe Kinës, i cili pritet të përfundojë në janar.

Megjithatë, pavarësisht pritshmërive të shumta se Trump mund të njoftonte zgjatjen e marrëveshjes, deri më tani nuk është bërë asnjë njoftim në këtë drejtim.

Deklarata poashtu nuk përmend luftërat në Ukrainë apo Iran, dy çështje që Trump tha se i ngriti me udhëheqësit në takime të ndara kokë më kokë më herët gjatë ditës./teve1.info/

Të Ngjashme