Bujar Muça, vëllai i biznesmenit Luan Muça, Edison Zalla, Serxhio Cani, Rei Degjoni, Renato Kodra, Klej Doci, Arjan Doda, Marjos Ramosacoj, dhe efektivët e Policisë Ushtarake Altin Grori dhe Fatjon Maknori, janë personat e shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës.
Ata dyshohet se kanë qenë të pranishëm në konfliktin që ndodhi në ambientet e resortit “Regina Palm” në Radhimë, ku sipas Policisë së Vlorës, është dhunuar biznesmeni Vasil Bedinaj dhe i është vendosur gjobë 5 milionë euro.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.
Ndërkohë, shtetasi Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty”, u shpreh kryepolici i Vlorës, Ervin Ndreu.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë; Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë; Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë; Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar dhe Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Gjithashtu, fillimisht dy ditë më parë u raportua se janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje, mirëpo, nga verifikimi i kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e mbledhura, numri i personave të kërkuar ka shkuar në 10.
Bëhet fjalë për shtetasit Bujar Muça, Edison Zalla, Serxhio Cani, Rei Degjoni, Renato Kodra, Klej Doci, Arjan Doda, Marjos Ramosacoj, dhe efektivët e Policisë Ushtarake Altin Grori dhe Fatjon Maknori.
