Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Definohen “agjentët e huaj” në Republikën Sërpska

Organizatat jofitimprurëse që ndihmojnë subjektet e huaja dhe që merren me veprime politike ose aktivitete politike, të cilat ndikojnë në opinionin publik dhe ato që shkelin integritetin dhe Kushtetutën e Republikës Sërpska përkufizohen si “agjentë të ndikimit të huaj”.

Kjo u konstatua në propozimin e Ligjit për regjistrin e veçantë dhe publicitetin e punës së organizatave jofitimprurëse të Republikës Sërpska, i njohur në publik si ligji për “agjentët e huaj”.

Propozimi u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Sërpska.

Ndalime parashikohen edhe në rast të cenimit të “integritetit të Republikës Sërpska”.

E reja në propozim është se organizata jofitimprurëse është e detyruar që “të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë brenda 15 ditëve nga marrja e burimeve financiare, apo e llojeve të tjera të ndihmës nga një subjekt i huaj”.

Ligji parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.

Në krye të Ministrisë së Drejtësisë është Millosh Bukejlloviq, i cili është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej korrikut të vitit të kaluar, për shkak të përgjegjësisë së tij për hartimin e ligjit për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

Projektligji është dërguar për procedurë në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska (NSRS) më 28 mars, kanë konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë nga ky institucion.

Sipas programit të punës së Asamblesë për vitin 2024, ky ligj ishte planifikuar për tremujorin e parë, pra duhej të ishte konsideruar në tre muajt e parë të këtij viti.

Asambleja e Republikës Sërpska nuk ka treguar se kur do të shqyrtohet projektligji.

Procedura parlamentare parasheh që ai t’u dërgohet deputetëve, komisionit ligjvënës dhe trupave punuese, pas së cilës kolegjiumi parlamentar duhet të vendosë se kur legjislacioni do t’u paraqitet deputetëve.

Këtë ligj e paraqiti më 2022 Millorad Dodik, presidenti prorus i Republikës Sërpska dhe udhëheqësi i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), i cili është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për veprime antikushtetuese.

Kuvendi Kombëtar i Republikës Sërpska miratoi draftin e këtij ligji më 28 shtator të vitit të kaluar, i cili u prit me një sërë kritikash nga publiku, sektori joqeveritar dhe organizatat ndërkombëtare./rel