Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Deklarohen nga Specialja për bastisjen në familjen e dëshmorëve Fazliu

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë thënë se nuk kanë ndonjë koment në lidhje me bastisjen që ka ndodhur sot në banesën e dëshmorëve, Bahri dhe Fahri Fazliu.

“Ne nuk kemi ndonjë koment”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndryshe, pjesëtarët e EULEX-it dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë bastisur banesën e familjarëve të heronjve, Fahri e Bahri Fazliu në Kodrën e Diellit në Prishtinë.

Avokati i familjes, Artan Qerkini i ka quajtur të kota bastisjet derisa ka shtuar se nuk është sekuestruar asnjë provë, përveç disa dokumenteve të cilat kanë qenë publike.

“ Dhomat e Specializuara kanë kryer sot një bastisje në banesën e familjarëve të heronjve, Fahri e Bahri Fazliu në Kodrën e Diellit në Prishtinë. Janë munduar kinse të sekuestrojnë prova të cilat atyre ju nevojiten për procedura të mëtutjeshme, mirëpo unë jam shumë i bindur se ata nuk kanë sekuestruar asnjë provë të vetme dhe se ka qenë një bastisje e kotë dhe humbje kohë për të gjithë ata”.

Ai tha se gjykata duhet të jetë më e kujdesshme në lëshimin e urdhrave për bastisje sepse cenon privatësinë

“Konsiderojë që gjykata duhet të jetë më e kujdesshme në lëshimin e urdhrave për bastisje sepse cenon privatësinë e në anën tjetër, siç ndodhi në rastin konkretë nuk kanë sekuestruar asnjë provë me relevancë për procedurën penale dhe për procedurat që janë në rrjedhë e sipër pranë Dhomave të Specializuara. Rasti nuk është bërë i ditur vetëm se është thënë se për nevojat e procedurave të cilat janë duke u zhvilluar në Dhomave të Specializuara. Detaje tjera nuk kanë dhënë. Nuk kanë kërkuar diçka specifike, ata i kanë marrë disa dokumenta të cilat janë publike, realisht nuk ka pasur nevojë fare që të kryhet bastisje”, ka deklaruar ai.

Ndërsa për këtë rast janë deklaruar edhe nga familja Fazliu të cilët kanë thënë se nuk i dinë arsyet e bastisjes.