Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka treguar se çfarë ka ndodhur gjatë pritjes tradicionale për mërgimtarë të mbajtur dje.
Përmes një reagimi publik, Qorrolli tha se në aktivitet ndodhej së bashku me deputetët Ardian Gola dhe Adnan Rrustemi, kur – sipas tij – u përballën me “sulme, përçartje dhe provokime të kërkuara deri në përballje fizike”.
Ai ka përmendur me emër deputetët e PDK-së Mërgim Lushtaku, Artan Behrami, Eman Rrahmani dhe Ganimete Musliu, si dhe deputeten e AAK-së Teuta Haxhiu.
“Ne e ruajtëm qetësinë. Për asnjë moment nuk iu përgjigjëm provokimit, sepse nuk shkojmë në Kuvend për të bërë mundje as kik-boks, por për të bërë politikë”, ka shkruar Qorrolli.
Sipas tij, incidenti ka kaluar kufijtë e debatit politik.
“Kur Lushtaku sulmon Adnanin, Emani Ardianin dhe më pas Behrami më sulmon mua, kjo nuk mund të quhet më debat racional. Kjo është një skenë e rrezikshme dhe shëmti e dhunës së pastër politike”, ka deklaruar deputeti i LVV-së.
Qorrolli ka thënë se Kosova duhet ta refuzojë një politikë që, sipas tij, “kur i mbarojnë argumentet, kërkon të flasë me duar”.
Ai ka theksuar se LVV-ja nuk do të ndalet dhe se vendi nuk duhet të kthehet në kohën kur kundërshtari politik trajtohej si armik dhe debati zëvendësohej me dhunë.
“Kosova do ta fitojë betejën me të keqen, edhe me këtë politikë të degraduar që kërkon gjak e dhunë për ta mbuluar boshllëkun e vet politik”, ka përfunduar Qorrolli në reagimin e tij.
Reagimi i plotë:
Bashkë me kolegët deputetë, Ardian Gola dhe Adnan Rrustemi, dje, në pritjen e përvitshme dhe tradicionale për mërgimtarë (po po, tradicionale prej shumë vitesh), u përballëm me një shfaqje të shëmtuar të politikës së vjetër: sulme, përçartje dhe provokime të kërkuara deri në përballje fizike.
Nga PDK-ja: Mërgim Lushtaku, Artan Behrami, Eman Rrahmani e Ganimete Musliu. Nga AAK-ja: Teuta Haxhiu.
Ne e ruajtëm qetësinë. Për asnjë moment nuk iu përgjigjëm provokimit. Sepse nuk shkojmë në Kuvend për të bërë mundje as kik-boks, por për të bërë politikë.
Por kur Lushtaku sulmon Adnanin, Emani Ardianin dhe më pas Behrami më sulmon mua, kjo nuk mund të quhet më debat racional. Kjo është një skenë e rrezikshme dhe shëmti e dhunës së pastër politike.
Po po, dhunë.
Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet ta refuzojë Kosova: një politikë që, kur i mbarojnë argumentet, kërkon të flasë me duar.
Ne nuk do të ndalemi.
Sepse Kosova nuk mund të kthehet prapa në kohën kur kundërshtari politik trajtohej si armik dhe debati zëvendësohej me dhunë.
Kosova do ta fitojë betejën me të keqen. Edhe me këtë politikë të degraduar, që kërkon gjak e dhunë për ta mbuluar boshllëkun e vet politik
