Lajme

Deputeti nga Berna kërkon përfaqësim të diasporës në Kuvend: Mërgata nuk është vetëm bankomat i Kosovës

Diaspora duhet të ketë përfaqësim të drejtpërdrejtë në Kuvendin e Kosovës, pasi sipas Korab Rashitit, deputet në Parlamentin e Kantonit të Bernës, ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë kyçe e historisë, ekonomisë dhe zhvillimit të vendit.

Rashiti vlerëson se mërgata shqiptare nuk ka qenë vetëm mbështetje emocionale për Kosovën, por një faktor vendimtar në mbijetesën dhe funksionimin e saj ndër vite.

“Diaspora nuk është veç një kujtim emocional për Kosovën. Diaspora është pjesë e gjallë e këtij vendi. Është pjesë e kombit, e historisë, e ekonomisë dhe e pronës në Kosovë”, deklaron ai.

Sipas Rashitit, kontributi i diasporës ka qenë i jashtëzakonshëm, që nga financimi i 3%-shit, ndihma për fondin “Vendlindja Thërret”, e deri te mbështetja e familjeve dhe investimet në prona e biznese.

“Kur diaspora e paguante 3%-shin, kur kontribuonte për ‘Vendlindja Thërret’, kur i mbante familjet me para, kur ndërtonte shtëpi, blinte toka e investonte në ekonomi lokale, ajo ishte duke e mbajtur Kosovën në këmbë”, shprehet Rashiti.

Image
Korab Rashiti

Ai thekson se përfaqësimi i diasporës në Kuvend nuk duhet parë si privilegj, por si një e drejtë legjitime politike dhe qytetare.

“Diaspora është ndër pronarët më të mëdhenj të tokave dhe pronave në Kosovë, por pothuajse nuk ka zë të veçantë politik kur bëhet fjalë për ligjet, tatimet, trashëgiminë apo mbrojtjen e pronës. Kjo nuk është normale”, thotë ai.

Rashiti propozon që Kuvendi i Kosovës të rezervojë pesë ulëse për përfaqësuesit e diasporës, të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Ai sugjeron që përfaqësimi të ndahet sipas shteteve dhe rajoneve ku jeton numri më i madh i mërgatës shqiptare.

“Një deputet për diasporën në Zvicër, një për Gjermani, një për SHBA, një për Skandinavi dhe një për Britani të Madhe do të ishte një model i drejtë për përfaqësim”, deklaron Rashiti.

Sipas tij, këta deputetë duhet të merren konkretisht me çështjet që prekin diasporën, si investimet, dokumentacioni, votimi, trashëgimia, procedurat administrative dhe mbrojtja nga burokracia.

Po ashtu, ai kërkon që në qendër të Prishtinës të ndërtohet një Muze i Diasporës, ku do të dokumentohej kontributi historik i mërgatës për Kosovën.

“Një shtet serioz nuk i harron ata që e kanë mbajtur gjallë. Kosova duhet ta kuptojë se diaspora nuk është bankomat. Diaspora është pjesë e Republikës dhe duhet ta ketë zërin e vet politik”, përfundon Rashiti.

Të Ngjashme