Lajme

Dështoi seanca e kërkuar nga opozita, Kuvendi mblidhet sot në 11:00

Kuvendi i Kosovës ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive për sot, e shtunë, 8 gusht, në ora 11:00, ndërsa partitë opozitare kërkuan që ajo të mbahej mbrëmjen e së premtes, duke theksuar se në mesnatë përfundonte afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u mblodhën në Kuvend, por sipas tyre, dyert e sallës ishin të mbyllura dhe seanca nuk u mbajt.

Në rend të ditës të seancës së thirrur për të shtunën janë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kishin kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahej të premten në ora 22:30, duke thënë se afati prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore përfundonte në mesnatë.

Deputetët e opozitës u mblodhën në Kuvend në pritje të vazhdimit të seancës, por thanë se nuk kanë mundur të hyjnë në sallë, pasi dyert kanë qenë të mbyllura.

Besnik Tahiri nga AAK-ja tha se grupi parlamentar e kishte njoftuar me kohë kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, dhe administratën e Kuvendit për kërkesën e tyre.

“Dyert e sallës ku do të duhej të konstituohej Kuvendi sonte janë të mbyllura”, tha Tahiri.

Ai tha se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundonte në ora 23:59 dhe akuzoi LVV-në se po e shkel aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mesnatës tha se deputetët kishin qenë në Kuvend për të treguar gatishmërinë për pjesëmarrje në seancën konstituive.

Hamza tha se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se, sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit paraqet shkelje të Kushtetutës.

“Kemi të bëjmë me mosrespektim të mendimit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Hamza.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se kjo parti kishte kërkuar që seanca të mbahej deri në ora 00:00, me qëllim të respektimit të afateve kushtetuese.

“LDK ka pritur dhe ka kërkuar, ka ftuar që seanca të mbahet sonte deri në ora 00:00, në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese”, tha Haziri.

Mbajtja e seancës së kërkuar nga opozita të premten dështoi, në ditën kur, sipas përfaqësuesve të opozitës, u bënë 30 ditë nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi ndaj deklarimeve të opozitës për shkelje të rendit kushtetues. Ai rikujtoi se më 26 prill 2025 ishin bërë 30 ditë nga certifikimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa Kuvendi ende nuk ishte konstituuar. Sipas Muratit, atëherë kjo vonesë nuk ishte cilësuar si problem apo shkelje kushtetuese.

Vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për të shtunën, më 8 gusht, në ora 11:00. Përfaqësuesit e opozitës nuk kanë deklaruar nëse do të marrin pjesë. Hamza tha se PDK-ja do ta trajtojë këtë çështje, ndërsa Haziri tha se grupi parlamentar i LDK-së do të takohet para seancës.

Të Ngjashme