Aktuale

DETAJE nga sulmi në Athinë/ Plumbat drejt lokalit të shqiptarit, iu plagos vajza 10-vjeçare. Urdhrin e dha “i burgosuri i famshëm”

Një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare mbeti e plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri ndaj një lokali në lagjen Agios Panteleimonas të Athinës.

E mitura ndodhej brenda kafenesë së babait të saj, Denis Luli, 30 vjeç, kur persona që lëviznin me një automjet hapën zjarr në drejtim të fasadës.

Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga mediat greke, në automjet ndodheshin katër persona. Ata dyshohet se qëlluan pa zbritur nga makina dhe më pas u larguan me shpejtësi. Në momentin e sulmit, brenda lokalit ndodheshin rreth dhjetë klientë.

Hetimet për zbardhjen e ngjarjes vazhdojnë, ndërsa ende nuk është përcaktuar se kush ishte objektivi i atentatit dhe çfarë konfliktesh mund të fshihen pas tij.

Sipas informacioneve paraprake të raportuara, autoritetet po hetojnë edhe pistën se urdhri për sulmin mund të ketë ardhur nga burgu dhe dyshimet janë përqendruar te Klodian Lekocaj, një emër i njohur për policinë greke.

Por kush është Klodian Lekocaj?

Klod Cara, i njohur edhe si Klodian Lekocaj, 49 vjeç, është përmendur vazhdimisht gjatë viteve të fundit në kronikën e zezë greke. Mediat vendase e kanë etiketuar si një prej drejtuesve të së ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”, ndërsa vetë Lekocaj i ka kundërshtuar publikisht këto pretendime, duke deklaruar se është i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.

Emri i tij është shfaqur në disa hetime, dëshmi dhe përgjime të autoriteteve greke, ku është ngritur dyshimi për lidhje me grupe kriminale dhe persona të dyshuar si vrasës me pagesë.

Një prej rasteve që e riktheu emrin e tij në vëmendje ndodhi në shtator të vitit 2022, kur policia greke arrestoi shqiptarët Viktor Çala dhe Andi Beqiri. Në automjetin e tyre u gjetën dy kallashnikovë dhe një thikë, ndërsa gjatë kontrollit të një banese u sekuestrua edhe një pistoletë.

Hetimet e autoriteteve greke e lidhën Çalën me vrasjen e një shtetasi grek dhe tentativën për vrasjen e një shqiptari gjatë korrikut të atij viti. Sipas dëshmisë së tij, vrasja e shtetasit grek ishte porositur nga Lekocaj për shkak të një konflikti të lidhur me trafikun e drogës.

Kjo iu shtua një serie akuzash të tjera të ngritura ndër vite ndaj Lekocajt. Emri i tij është përmendur në çështje që lidhen me vrasjen e avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, vrasjet e Arbër Bakos dhe Bardhyl Tushës, një tentativë vrasjeje ndaj një shtetasi pakistanez, si dhe akuza për gjobëvënie dhe ndihmë në arratisjen e të burgosurve.

Historia e tij me drejtësinë greke shtrihet shumë vite pas.

Lekocaj është arrestuar fillimisht në vitin 1997 për vjedhje, ndërsa në vitin 2003 u arratis nga burgu i Volosit. Dy vite më vonë, në zonën e Agios Panteleimonas, u përfshi në plagosjen me armë të një shqiptari, ndërsa në vitin 2006 u akuzua për plagosjen me thikë të një tjetër bashkëkombasi.

Në vitin 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit. Një vit më vonë, pasi kishte marrë leje, u arratis përsëri.

Gjatë vitit 2014, sipas akuzave të ngritura ndaj tij, Lekocaj u përfshi së bashku me persona të tjerë në disa ngjarje kriminale, përfshirë një tentativë grabitjeje dhe një vrasje në zonën e Metaksurgios.

Ai u arrestua përfundimisht në nëntor të atij viti në Sepolia, së bashku me Dhimo Meçin, një tjetër person të kërkuar nga autoritetet greke.

Por edhe gjatë viteve të mëvonshme, emri i Lekocajt vazhdoi të shfaqej në hetime të ndryshme.

Në vitin 2019 ai u akuzua për rekrutimin e një vrasësi me pagesë nga Shqipëria për eliminimin e një shtetasi pakistanez, ndërsa në vitin 2023 ndaj tij u ngrit një akuzë për gjobëvënie prej 100 mijë eurosh ndaj një biznesmeni grek.

Në prill të vitit 2025, Lekocaj u akuzua gjithashtu për porositjen e atentatit ndaj Kristjanis Stefës dhe Florian Bajraktarit, të ndodhur në shtator të vitit 2024.

Vetëm një muaj më vonë, një tjetër incident ndodhi brenda burgut të Korydhalosit. Sipas autoriteteve, Lekocaj mori peng dy gardianë duke i kërcënuar me thikë dhe u mori çelësat, radiot dhe telefonat. Më pas tentoi të lëvizte drejt një sektori tjetër të burgut së bashku me disa të dënuar të tjerë, por situata u neutralizua nga ndërhyrja e forcave të sigurisë.

Gjatë një kontrolli të mëvonshëm në qelinë e tij dhe të të burgosurve të tjerë, policia raportoi se gjeti telefona celularë, thika dhe kokainë.

Emri i Lekocajt është lidhur së fundmi edhe me një tjetër ngjarje brenda burgjeve greke, atë të plagosjes së rëndë të 46-vjeçarit Dhimo Meçi në burgun e Malandrinos.

Tashmë autoritetet greke po hetojnë nëse Klodian Lekocaj ka lidhje edhe me sulmin e fundit në Agios Panteleimonas, ku mbeti e plagosur vajza 10-vjeçare shqiptare.

Për momentin, mbetet ende e paqartë se kush ishte objektivi i vërtetë i atentatit dhe cili ishte motivi i sulmit, ndërsa hetimet e policisë greke vazhdojnë.

Të Ngjashme