Një 19 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti të trafikut që ka ndodhur gjatë natës në fshatin Lutogllavë, në magjistralen Suharekë Prizren.
Rastin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Dyshohet se drejtuesi i automjetit, rreth 19 vjec, nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e cila ishte e lagësht si pasojë e reshjeve të shiut. Si pasojë, ai ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili ka dalë jashtë rrugës.
Në aksident ka humbur jetën pasagjeri, rreth 19 vjeçar, nga fshati Piran i Prizrenit, ndërsa drejtuesi i automjetit ka pësuar lëndime trupore.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të ndriçuar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
