Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një konflikt fizik mes disa personave dhe ku pretendohet se është dhunuar ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Eduard Kuçi.
Në njoftimin zyrtar, policia sqaron se pas verifikimeve të kryera rezultoi se pamjet janë filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Si rezultat i hetimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë ndaluar këngëtarin dhe ish-banorin e “Big Brother VIP Albania”, Jozefin Marku, 30 vjeç, i dyshuar për 5 vepra penale.
Joz Marku, siç njihet ndryshe, akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Gjithashtu është ndaluar edhe Kristian Nikolli, 31 vjeç, i dyshuar se ka qenë drejtuesi i automjetit tip “Land Rover”.
Ai dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim shtetasit me iniciale A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së Kristian Nikollit, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas policisë, personat e ndaluar, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë dhunuar Eduard Kuçin, 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një konflikt ndërmjet disa shtetasve, sqarojmë se:
Nga verifikimet e kryera rezultoi se pamjet ishin filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit Jozefin Marku, 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”.
Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin Eduard Kuçi, 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
