Kërkesa për rikthimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka rikthyer vëmendjen te perspektiva e këtij mekanizmi dhe mundësitë për rifillimin e tij. I pezulluar nga Uashingtoni në shtator të vitit 2025, dialogu mbetet një çështje me rëndësi për raportet mes dy vendeve, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare dhe prioritetet e politikës së jashtme amerikane ndikojnë në hapësirën për avancimin e tij.
Për këtë çështje, për “Bota sot” ka folur publicisti Lis Bukuroca, i cili vlerëson se rikthimi i Dialogut Strategjik do të krijonte mundësi për bashkëpunim më të madh në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe politikës së jashtme.
Megjithatë, ai thekson se ky proces kërkon angazhim diplomatik dhe se mbështetja e senatorëve amerikanë nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të ndryshuar qëndrimin e administratës në Uashington.
Dialogu Strategjik dhe rëndësia e tij për Kosovën
Bukuroca vlerëson se kërkesa për rikthimin e Dialogut Strategjik është një hap i rëndësishëm për vazhdimin e bashkëpunimit me SHBA-në.

Lis Bukuroca
“Presidentja ka bërë shumë mirë që ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në. Ai bashkëpunim është i rëndësishëm për Kosovën, sepse do të ofronte mundësi për bashkëveprimi në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe politikës së jashtme”, deklaron ai.
Sipas publicistit, megjithatë, zhvillimet e viteve të fundit tregojnë se Kosova duhet t’i përshtatë pritjet e saj me realitetin aktual të politikës amerikane.
“Megjithatë, duhet të jemi realistë: SHBA-ja e sotme nuk është domosdoshmërisht ajo e viteve kur Kosova gëzonte një mbështetje pothuajse të pakushtëzuar në Uashington”, shprehet Bukuroca.
Prioritetet amerikane dhe mundësitë për rifillimin e dialogut
Duke folur për faktorët që mund të ndikojnë në këtë proces, Bukuroca përmend zhvillimet ndërkombëtare dhe interesat e Uashingtonit, të cilat ndikojnë në përcaktimin e prioriteteve të politikës së jashtme amerikane.
“Lufta në Ukrainë, zhvillimet e rënda në Lindjen e Mesme dhe interesat globale të Uashingtonit e bëjnë më të vështirë që problemet e Ballkanit të kenë përparësi në agjendën amerikane”, thekson ai.
Sipas tij, senatorët dhe kongresistët amerikanë mund të ndihmojnë në avancimin e kërkesës për rifillimin e dialogut, por ndikimi i tyre ka kufizime.
“Senatorët dhe kongresistët amerikanë mund të luajnë rol të rëndësishëm në avancimin e kësaj kërkese, por mbështetja e tyre nuk mjafton gjithmonë për të ndryshuar qëndrimin e administratës”, deklaron Bukuroca.
Çfarë kërkohet nga Kosova për të rikthyer dialogun?
Bukuroca vlerëson se avancimi i kësaj çështjeje kërkon diplomaci aktive, lobim profesional dhe një qasje të vazhdueshme ndaj institucioneve amerikane. Ai përmend edhe angazhimin e Serbisë në ndërtimin e marrëdhënieve me qarqet politike në SHBA.
“Kosova ka nevojë për diplomaci aktive, argumente bindëse dhe lobim profesional e të vazhdueshëm në Uashington. Serbia po investon në marrëdhëniet me institucionet dhe qarqet politike amerikane, ndërsa Kosova nuk duhet të mbështetet vetëm te miqësitë e së kaluarës”, shprehet ai.
Sipas Bukurocës, në marrëdhëniet ndërkombëtare rëndësi kanë edhe interesat konkrete që palët mund të avancojnë përmes bashkëpunimit.
“Duhet kuptuar gjithashtu se sot interesat strategjike dhe përfitimet konkrete kanë peshë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nuk mund të mbështetemi te ideja se ndihma do të vijë vetvetiu, vetëm sepse SHBA-ja ka qenë aleati ynë kryesor në çastet tona më të vështira”, thotë ai.
Rikthimi i dialogut nuk garanton zgjidhjen e të gjitha çështjeve
Në përfundim, publicisti thekson se rifillimi i Dialogut Strategjik do të ishte një hap i rëndësishëm, por rezultatet e tij do të vareshin nga mënyra se si do të zhvilloheshin marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Prandaj, rikthimi i Dialogut Strategjik do të ishte një hap i rëndësishëm, por jo zgjidhje në vetvete. Kosova duhet të rikthejë besimin e partnerit amerikan, të koordinojë më mirë veprimet me të dhe të dëshmojë se mund të jetë partnere e parashikueshme e konstruktive”, deklaron Bukuroca.
Ai shton se marrëdhëniet me SHBA-në kërkojnë angazhim të vazhdueshëm dhe nuk mund të mbështeten vetëm në raportet historike mes dy vendeve.
“Miqësia me SHBA-në është shumë e rëndësishme për ne, por mund të mos jetë garanci e përhershme. Ajo duhet të ruhet dhe të forcohet me diplomaci, lobime, përgjegjësi dhe punë konkrete”, përfundon Lis Bukuroca për “Bota sot”.
