Nisi seanca gjyqësore e radhës ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër-Lepenci në Varagë të Zubin Potokut.
Seanca po mbahet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërsa tre të akuzuarit për këtë rast janë Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq.
Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq janë vëllezër. Ata akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike në lidhje me kryerjen e veprës terroriste si dhe për armëmbajtje pa leje. Jovan Viqentijeviq ngarkohet edhe me spiunazh.
Që të dy janë në paraburgim, ndërsa Igor Dimoviq mbrohet në liri.
Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Sipas aktakuzës, në kanal ishte vendosur një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, ndërsa Jovan Viqentijeviq dyshohet se kishte ndezur fitilin.
Ky sulm dëmtoi njëkohësisht infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe rrezikoi furnizimin e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
