Dioqeza Prizren–Prishtinë e ka cilësuar si jokushtetues, joligjor dhe të pajustifikuar vendimin e Policisë së Kosovës për të mos lejuar ceremoninë e paraparë të martën, më 18 gusht, për bekimin e gurthemelit të kishës së re në Zogaj të Vushtrrisë.
Për të shmangur tensionet, ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga disa meshtarë dhe besimtarë, e ka bërë bekimin e gurthemelit të hënën, në vigjilje të festës së Shën Florit dhe Laurit.
Sipas njoftimit, vikari ipeshkvor Don Fran Kola i kishte informuar autoritetet e sigurisë, në përputhje me ligjet në fuqi, për zhvillimin e ceremonisë në tokën e dhuruar nga besimtarët për ndërtimin e objektit fetar.
“Policia e Kosovës ka marr një vendim që nuk do të lejohet të zhvillohet ceremonia e paraparë për nesër, më 18 gusht 2026. Edhe pas ankesës zyrtare të Don Fran Kolës, Policia nuk e ka anulua vendimin. Ne e konsiderojmë këtë vendim jo kushtetues, jo ligjor, të padrejtë dhe të pajustifikuar, sepse bëhet fjalë për një ngjarje kishtare, fetare dhe paqësore, në pronën e Kishës, për të cilën institucionet ishin njoftuar me kohë”, thuhet në reagim.
Ceremonia e pagëzimeve do të mbahet të martën, më 18 gusht, nga ora 11:00, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
“Duke dashur të shmangim çdo tension dhe që një akt feje të mos bëhet shkak për përplasje me askënd, sot më 17 gusht, në vigjiljen e festës së Shën Florit dhe Laurit, ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në përcjellje të disa meshtarëve dhe besimtarëve, ka bërë bekimin e gurthemelit në mënyrë të qetë dhe dinjitoze. Ndërsa ceremonia e Pagëzimit do të kremtohet nesër, më 18 gusht 2026, në orën 11:00, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë”, thuhet më tej në deklaratë.
Dioqeza ka theksuar se zhvendosja e ceremonisë nuk nënkupton pajtim me vendimin apo heqje dorë nga të drejtat e saj.
“Kisha do të vazhdojë, përmes rrugëve institucionale dhe ligjore, të kërkojë respektimin e lirisë fetare, të së drejtës së pronës dhe të ushtrimit paqësor të misionit të saj”, thuhet më tej.
Në reagim është shprehur bindja se institucionet duhet ta mbrojnë ushtrimin e lirë të të drejtave dhe jo ta kufizojnë atë për shkak të një rreziku që, sipas Dioqezës, nuk buron nga aktiviteti fetar.
Besimtarët dhe qytetarët që kishin planifikuar të merrnin pjesë në Zogaj janë ftuar t’i bashkohen ceremonisë në Prishtinë.
“Përgjigjja jonë ndaj padrejtësisë nuk do të jetë kurrë përplasja, por qëndrueshmëria; ndaj urrejtjes nuk do të përgjigjemi me urrejtje, por me dashuri”, përfundon deklarata e zëdhënësit të Dioqezës Prizren–Prishtinë, Don Fatmir Koliqi.
Ndryshe, sot dhjetëra qytetarë kanë marrë pjesë në vënien e gurthemelit të Kishës Katolike “Shën Flori dhe Lauri”, në fshatin Zogaj të Vushtrrisë.
Ceremonia e organizuar nën kujdesin e Ipeshkvisë së Kosovës, nisi në orën 13:00. Siç mëson KosovaPress, aty u tha se vënia e këtij gurthemeli shënon një moment të rëndësishëm për komunitetin katolik të kësaj zone.
