Qytetarë të shumtë kanë nisur të grumbullohen pasditen e kësaj të diele në Sheshin Skënderbej, duke shënuar protestën e 15-të radhazi kundër politikave qeveritare dhe projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.
Tubimi ka nisur në qendër të kryeqytetit, ndërsa protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, duke ndjekur itinerarin e protestave të mëparshme.
Sipas organizatorëve, protesta synon të përcjellë kundërshtimin ndaj vendimeve që lidhen me statusin e investitorëve strategjikë dhe ndryshimet ligjore që, sipas tyre, ndikojnë në zonat e mbrojtura mjedisore.
Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë dorëheqja e qeverisë, rishikimi i politikave për investimet strategjike dhe anulimi i akteve ligjore të kontestuara.
Pas ndalesës para Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe deklarata publike, marshimi do të vijojë në disa prej akseve kryesore të Tiranës.
