Lajme

Protestë sot për Arlinda Zekajn, organizatorët dalin me gjashtë kërkesa për institucionet

Të shtunën do të mbahet protesta e radhës me kërkesën për drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra në mënyrë makabre në Pejë.

Protesta do të nisë nga ora 12:00, në sheshin pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha qytetet që t’i bashkohen marshit për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Në thirrjen për pjesëmarrje, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka deklaruar se vrasja e Arlindës ka ekspozuar dështimet e zinxhirit institucional, i cili, sipas tyre, në vend që t’i mbrojë gratë që kërkojnë ndihmë, i lë të pambrojtura përballë rrezikut.

“Vrasja e saj si dhe reagimi shtetëror e ka vendosur shoqërinë tonë në një krizë dhe pasiguri shoqërore, të cilën mund ta kalojmë vetëm me përgjegjësi shtetërore dhe garantim që jeta e grave merret seriozisht”, thuhet në thirrjen e Kolektivit.

Ata kanë theksuar se protesta e së shtunës do të jetë gjithëkombëtare, me qëllim që të kërkohet drejtësi për Arlindën dhe që shteti ta shpallë femicidin urgjencë kombëtare.

“Arlinda Zekaj na e ka lënë amanet që të kërkojmë përgjegjësi, e këtë amanet ne po e zgjasim jo veç për Arlindën dhe çdo grua të vrarë, por edhe për çdo vajzë e grua të gjallë”, thuhet më tej në reagim.

Kolektivi ka vlerësuar se rasti i Arlindës ka tronditur themelet e patriarkisë shtetërore, duke bërë thirrje që mobilizimi qytetar të vazhdojë deri në fund të luftës kundër dhunës ndaj grave.

Kërkohet shkarkimi i ministrave dhe përgjegjësi për zyrtarët

Përmes protestës, organizatorët kanë bërë publike edhe kërkesat e tyre, duke kërkuar shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgimin e zyrtarëve që, sipas tyre, kanë dështuar në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Në mesin e kërkesave është edhe shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqja e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Të dy ministrat kanë refuzuar më herët thirrjet për dorëheqje.

Kërkesat e tjera përfshijnë trajtimin e vrasjeve të grave si urgjencë kombëtare, sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingun apartiak dhe të pavarur të sistemit të drejtësisë, si dhe legalizimin e sprejit vetëmbrojtës për gratë.

Rasti që nxiti reagime dhe protesta në Kosovë

Arlinda Zekaj u vra me sëpatë në shtëpinë e saj në Pejë, ndërsa për rastin dyshohet ish-kunati i saj.

Para vrasjes, ajo u kishte drejtuar disa letra institucioneve të drejtësisë, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik dhe duke kërkuar mbrojtje. Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve, nuk u ndërmorën veprimet e nevojshme për ta parandaluar tragjedinë.

Rasti nxiti reagime të shumta publike dhe protesta në disa qytete të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi për Arlindën dhe përgjegjësi nga institucionet.

Ndonëse disa zyrtarë janë suspenduar pas rastit, organizatorët e protestës kërkojnë që përgjegjësia të shkojë përtej këtyre masave dhe të përfshijë edhe nivelet më të larta të institucioneve të drejtësisë.

Të Ngjashme