Lajme

Dita e 81-të e protestës qytetare në Tiranë

Qytetarë të ndryshëm u mblodhën sot në Tiranë kundër investimit në Zvërnec, duke shënuar ditën e 81-të radhazi të protestës.

Protestuesit nisën marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë, ku vijuan tubimin me pankarta dhe mesazhe për ndryshime politike.

Protesta, e nisur fillimisht si kundërshtim ndaj ndikimit të pretenduar mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë i ka zgjeruar temat e saj edhe në çështje më të gjera që lidhen me zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend.

Gjatë protestës, qytetarët ngritën shqetësime për ekonominë, emigracionin, pensionet, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve, duke përcjellë kërkesat e tyre përmes pankartave dhe deklaratave.

Protestuesit kërkuan ndryshim të kastës politike, teksa protesta vijoi përpara sheshit përballë Kryeministrisë.

Edhe pse kanë kaluar 81 ditë nga nisja e protestës, pjesëmarrësit thonë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen.

Ata deklarojnë se do të vijojnë të dalin çdo ditë në protestë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Protesta nisi fillimisht kundër ndërtimit të një resorti turistik në Zvërnec, por me kalimin e ditëve ajo ka marrë përmasa më të gjera dhe është shndërruar në një tubim me kërkesa të qarta politike.

Protestuesit shprehen se çështja e resortit ishte vetëm pikënisja e reagimit qytetar, ndërsa tashmë në qendër të protestës janë kërkesat për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë aktuale.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë përsëritur se protesta do të vijojë pa afat, duke e konsideruar qëndrueshmërinë e saj si një mesazh për klasën politike.

Të Ngjashme