Sot shënohet Dita Botërore e Shëndetit Mendor, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit për çështje të shëndetit mendor në mbarë botën dhe rëndësinë e mobilizimit të përpjekjeve në mbështetje të shëndetit mendor.
Këtë vit, slogani i vendosur për Ditën Botërore të Shëndetit Mendor është “Ndihma e parë psikologjike”, duke vënë theksin te ndihma e parë psikologjike dhe mbështetja që njerëzit mund të japin për personat që kalojnë një periudhë të vështirë të shëndetit mendor.
Në një intervistë për KosovaPress, psikologu Kristjan Halilaj foli për shëndetin mendor, ndër të tjera për rëndësinë e mirëqenies mendore.
“Çdo festë shënon qendrën e një date të rëndësishme dhe sot për psikologët është një festë për të kujtuar rëndësinë e shëndetit mendor dhe mirëqenien e shëndetit mendor. Sepse ne nuk duhet të kujdesemi për shëndetin tonë mendor vetëm kur kemi fatkeqësi apo trauma, ankth dhe depresion, por duhet të përkujdesemi në vazhdimësi”, tha Halilaj.
Psikologu Halilaj thotë kjo ditë nuk shënon vetëm rëndësinë e shëndetit mendor, por edhe mbi kujdesin e vazhdueshëm. Sipas tij, kjo ditë duhet të shënohet më në veçanti krahas ditëve të tjera.
“Fatkeqësisht, akoma popullata nuk është e sensibilizuar për të vënë në pah rëndësinë e kësaj dite, por fatmirësisht ekziston një numër i psikologëve i madh kohëve të fundit, të cilët bëjnë fushata vetëdijesuese në rrjetet e tyre sociale, nëpër evente të ndryshme, dhe gradualisht shohim që ka një sensibilizim pak më të madh dhe po shkon aty ku duhet ritmi i sensibilizimit”, tha Halilaj.
Duke folur mbi arsyet kryesore të problemeve, Halilaj përmend praninë e ankthit si një prej çrregullimeve më të mëdha të shëndetit mendor.
“Jeta në vetvete është një lloj misteri që nga momenti që lindim, akoma nuk e dimë cila është arsyeja e ekzistencës. Dhe ankthi është një prej problematikave më të mëdha, sepse vazhdimisht kurioziteti mbi ndodhitë e jetës, kuptimin e jetës, arsyet pse jetojmë, pse duhet zhvilluar dhe qëndruar në jetë, shkaktojnë ankth dhe pasiguri… dhe krejt këto dyshime e shkaktojnë një lloj ankthi”, tha Halilaj.
Sipas Halilaj moshat 25-30 kërkojnë më shumë ndihmë psikologjike dhe ndër shkaqet e kësaj ai përmend ndryshimet në fazat e adoleshencës dhe krizave ekzistenciale. Ai potencon se problematika kryesore te kjo grup-moshë është edhe presioni i madh social dhe ndikimi i rrjeteve sociale.
“Krizat ekzistenciale janë periudha ku njeriu kërkon kuptimin dhe ambientimin me jetën dhe gjetjen e vendit të vet në botë, dhe në vendin përkatës. Dhe pastaj këto trazira dhe këto dyshime e çojnë në një zhvillim të ri dhe në një përshtatje me ambientin ku të rinjtë jetojnë… Shpeshherë ky presion e rrit ndjesinë e pamjaftueshmërisë së ekzistencës dhe vazhdimisht të rinjtë shqetësohen se a janë të mirë mjaftueshëm në pozitat ku ata luajnë: në pozitën e vëllait, motrës, të të dashurit, apo në rolet e tyre profesionale. Kjo çon në ankth dhe dëshpërim shpeshherë me veten duke u fokusuar edhe në dobësitë, fatkeqësitë ose mungesën e arritjeve”, tha ai.
Ndërkohë ai tha se problem paraqesin dhe lojërat e fatit në vendin tonë, ani pse ato janë të jashtëligjshme. Sipas tij ka pasur raste të shumta ku pacientët e kanë gjetur mbështetjen e tyre nga krizat ekonomike.
Halilaj foli po ashtu se si identifikohen rastet të cilat kanë nevojë për ndihmë profesionale.
“Simptomat e para shfaqen me një lloj indiference për të frekuentuar në ambientet sociale apo për të qëndruar më shumë në “izolim”. Shkalla e mungesës së produktivitetit në punë është faktor që nxit shenjat e para të rënies së shëndetit mendor apo produktivitetit. Me këtë rast duhet kërkuar ndihmë, sepse gjithmonë ekziston dikush që është i gatshëm të dëgjojë për simptomat tuaja dhe rrëfimet që i ke mbajtur të pashprehura me kohë, dhe që të kanë munduar, dhe që e ke kritikuar ose gjykuar veten, apo ato gjëra që s’kishe pasur asnjëherë besimin e duhur për t’i shprehur ndjenjat tuaja dhe gjërat që realisht ju shqetësojnë”, tha ai.
Halilaj shtoi se asnjëherë nuk duhet pasur hezitim për të kërkuar ndihmën profesionale duke thënë se shëndeti mendor është një përgjegjësi individuale e secilit prej nesh.
“Shëndeti mendor është një përgjegjësi individuale. Nuk jemi imunë asnjëri prej nesh, duke përfshirë edhe mua që jap shërbime për njerëzit në nevojë, për të ngritur vetëdijen për një shëndet të mirë mendor. Nevojitet kujdesi për veten, vendosjen e kufijve personal, të kujdesimi për vlerat, parimet që ne ndërtojmë dhe t’i mbrojmë ato”, përfundoi ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor dhe përpjekjet e mobilizuara në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.
