Lajme

“Do të ishe në burg po të mos isha unë”: Trump përplaset ashpër me Netanyahun gjatë telefonatës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet se u tërbua me kryeministrin Benjamin Netanyahu gjatë një telefonate të hënën, duke e quajtur atë “të çmendur” dhe duke i thënë se të gjithë “e urrejnë Izraelin”, ndërsa kërkoi që Izraeli të binte dakord për një armëpushim me grupin terrorist Hezbollah.

Barak Ravid i gazetës amerikane Axios citoi një zyrtar amerikan i cili e përmblodhi mesazhin e Trumpit drejtuar Netanyahut si më poshtë: “Je i çmendur. Do të ishe në burg nëse nuk do të isha unë. Po të shpëtoj nga kjo. Të gjithë të urrejnë tani. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj.”

Një burim i dytë i informuar mbi telefonatën i tha medias se presidenti amerikan ishte “i inatosur” me kryeministrin për planet e tij të pretenduara për sulme të mëdha ndaj objektivave të Hezbollahut në Bejrut dhe në një moment i bërtiti Netanyahut: “Çfarë dreqin po bën?”

Dy nga burimet thanë gjithashtu se Trump akuzoi Netanyahun për mosmirënjohje gjatë telefonatës mbi përshkallëzimin e luftimeve në Liban, një bisedë që Axios e përshkroi si “të mbushur me fjalë fyese”.

Zyra e Netanyahut nuk iu përgjigj raportit.

Zyrtarët amerikanë u cituan gjithashtu të kenë thënë se Trump i tha Netanyahut se e kishte mbajtur larg burgut, një referencë e dukshme ndaj kërkesës së përsëritur publike të Trump që Presidenti izraelit Isaac Herzog ta falë kryeministrin, i cili është në mes të një gjyqi të gjatë për korrupsion.

Kurse, në një seri postimesh në Truth Social, Trump shkroi se pati një “bisedë shumë produktive me kryeministrin Bibi Netanyahu të Izraelit, dhe se nuk do të ketë trupa që do të shkojnë në Bejrut, dhe çdo trupë që është në rrugën e tyre, tashmë është kthyer mbrapsht”.

Të Ngjashme