Aktuale

“Do t’i thyej turinjtë”/ Skandal brenda Gjykatës së Tiranës, avokati dhunon qytetarin (Video)

Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur një ditë më parë brenda ambienteve të Gjykatës së Tiranës, ku një avokat dyshohet se ka kërcënuar dhe dhunuar një qytetar.

Denoncimi është bërë publik nga avokatja e Dhomës së Avokatisë Durrës, Ingrida Behri, e cila akuzon avokatin Emin Saraçi për kërcënime në adresë të saj dhe goditje me grusht ndaj klientit të saj, Nderim Tafçiu.

Sipas avokates, ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance për zgjidhje martese, ku ajo përfaqësonte palën paditëse, ndërsa Saraçi palën e paditur. Behri pretendon se mosmarrëveshja nisi pasi klienti i saj kundërshtoi pretendimin se ishte shtetas italian, çështje që lidhej me juridiksionin e procesit gjyqësor.

Në dëshminë e saj, avokatja thotë se, pasi i kërkoi kolegut të saj të mbante përgjegjësi për deklarimet e bëra në sallën e gjyqit, ai iu drejtua me fjalët: “Do t’i thyej turinjtë”, duke e përsëritur disa herë në korridorin e gjykatës.

Behri pretendon se, kur tentoi të filmonte situatën me telefonin celular, Saraçi ia mori pajisjen dhe e hodhi drejt shkallëve, duke e dëmtuar. Sipas saj, në momentin kur klienti ndërhyri për ta mbrojtur, avokati e goditi atë me grusht në nofull.

Avokatja bën me dije se për ngjarjen ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë nr. 2 në Tiranë dhe kërkon që rasti të hetohet nga organet kompetente.

Në videon e publikuar nga Durrës Lajm, shihet dhe momenti i dhunës brenda ambjenteve të gjykatës.

Të Ngjashme