Aktuale

Dosja e nxehtë e tenderëve/ GJKKO rrëzon akuzat e SPAK, kthen mbrapsht hetimet për ish-kryebashkiakun socialist

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka refuzuar të kalojë për gjykim dosjen e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, duke e kthyer atë mbrapsht për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ish-zyrtari i lartë akuzohet për shpërdorim detyre, pas dyshimeve të ngritura nga prokurorët për abuzime me tenderët publikë në Bashkinë e Kavajës.

Sipas gazetares Anila Hoxha, vendimi u mor gjatë seancës paraprake e cila u zhvillua me dyer të mbyllura nga gjyqtarja Rudina Palloj. Mësohet se përpara këtij vendimi ekstrem, gjykata i kishte lënë kohë dhe mundësi prokurorit të çështjes që të rregullonte dhe riformulonte mënyrën se si e kishte ndërtuar akuzën ndaj Roshit, por sërish argumentet e organit të akuzës nuk kanë qenë bindëse për gjykatën.

Gjatë debateve me dyer të mbyllura, avokati mbrojtës i Elvis Roshit, Andi Skënderi, ka lëshuar akuza të forta ndaj prokurorisë. Ai pretendoi se gjetjet e SPAK-ut, koha e zgjatjes së hetimeve dhe finalizimi i akuzës nuk janë në përputhje me afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale, duke kërkuar rrëzimin e saj.

Deri më tani, Gjykata e Posaçme nuk i ka arsyetuar publikisht detyrat konkrete që i ka lënë SPAK-ut për të plotësuar në dosje, por ato pritet t’u komunikohen zyrtarisht palëve në momentin kur vendimi të zbardhet plotësisht.

Akuza për shpërdorim detyre ndaj Elvis Roshit u ngrit vetëm pak muaj më parë, pas një hetimi disamujor të SPAK që skanoi procedurat e disa tenderëve të dyshimtë të zhvilluar në Kavajë gjatë kohës që ai drejtonte bashkinë, dosje e cila tashmë është rikthyer zyrtarisht në pikën zero.

Të Ngjashme