Lajme

Dosti: Mos na bëni thirrje për bashkim vetëm kur ju leverdis, Kosova ka nevojë për unitet përtej interesave politike

Publicisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar lidhur me debatet pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kritikuar thirrjet për bashkim politik dhe kombëtar që janë bërë në Kosovë dhe Shqipëri.

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Dosti thekson se, sipas tij, politikanët në Shqipëri dhe Kosovë janë bërë bashkë për të kundërshtuar vendimin e Hagës, ndërsa nuk kanë treguar të njëjtin unitet për çështje të tjera që ai i konsideron të rëndësishme.

“Bashkë për të dënuar vendimin e padrejtë të Hagës. Dhe kurrë jo së bashku për të dënuar së pari gjenocidin serb ndaj Kosovës”, shkruan Dosti.

Ai e zgjeron kritikën edhe te zhvillimet politike në Kosovë, duke përmendur emra të ndryshëm të skenës politike dhe duke argumentuar se bashkimi politik nuk është shfaqur në çështje si konstituimi i Kuvendit, formimi dhe funksionimi i Qeverisë apo zgjedhja e presidentit.

Dosti rikujton gjithashtu debatet e mëhershme politike rreth themelimit të Gjykatës Speciale dhe deklaratat e disa prej figurave politike të Kosovës në atë periudhë. Ai përmend edhe deklaratat e publikuara ndër vite nga politikanë dhe figura publike lidhur me ish-krerët e UÇK-së.

Sipas tij, disa prej atyre që sot kërkojnë unitet pas vendimit të Hagës kanë pasur më herët qëndrime të ndryshme ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Në shkrim, Dosti ndalet edhe te qëndrimet e mbajtura në Kuvendin e Kosovës gjatë procesit të themelimit të Gjykatës Speciale, duke rikujtuar kundërshtimet e atëhershme ndaj saj.

“Ndaj dhe hapni sytë e veshët dhe bëhuni të mençur, motra e vëllezër, veçmas ju të Kosovës”, shprehet ai.

Dosti kritikon edhe rolin që, sipas tij, kanë pasur disa figura politike në raport me Kosovën dhe Shqipërinë, duke përmendur Edi Ramën dhe Richard Grenellin. Ai pretendon se këta nuk mund të jenë faktorë që bashkojnë shqiptarët rreth interesit të Kosovës.

Në fund, megjithatë, Dosti shprehet në favor të unitetit kombëtar, por thekson se ai duhet të jetë i bazuar në interesin e Kosovës dhe jo në interesa politike të momentit.

“Është vërtet mirë, forcë e mencuri të jemi bashkë, një komb e një popull, sepse kështu duhet e kështu meritojmë të jemi”, shkruan ai, duke shtuar se sipas tij, duhet të shmangen ata që “po na pengojnë të ecim përpara”.

Të Ngjashme