Një 24-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Edison Morina, është dënuar me burg nga Gjykata Mbretërore e Oksfordit, pasi pranoi fajësinë për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen dhe mbajtjen e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Sipas Oxford Mail, i riu u arrestua më 28 shtator në Henley, pasi tentoi t’i largohej policisë me vrap.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, tip BMW, efektivët zbuluan kokainë, kanabis dhe çokollata me substanca psikedelike, si dhe sekuestruan 1.865 paund në para të gatshme.
Morina u deklarua fajtor edhe për drejtimin e automjetit pa sigurimin e detyrueshëm.
Artikulli
Gjykata Mbretërore e Oksfordit ka dënuar me 32 muaj burg 24-vjeçarin shqiptar Edison Morina, pasi ai pranoi fajësinë për disa vepra penale që lidhen me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
I riu, pa një vendbanim të përhershëm në Britaninë e Madhe, u shpall fajtor për posedim të kokainës dhe kanabisit me qëllim shpërndarjen, mbajtjen e parave të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe drejtimin e një automjeti pa sigurimin e detyrueshëm.
Morina u arrestua më 28 shtator në Henley, pasi tërhoqi vëmendjen e efektivëve të policisë, teksa qëndronte pranë një automjeti tip BMW me ngjyrë të zezë.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurorja Leandra Smith bëri të ditur se 24-vjeçari kishte tentuar të largohej me vrap në momentin kur policia vendosi ta kontrollonte, por u arrestua pas një ndjekjeje të shkurtër.
Nga kontrolli i automjetit, efektivët zbuluan kokainë, kanabis dhe çokollata me substanca psikedelike. Gjithashtu, u sekuestruan 1.865 paund në para të gatshme.
Prokurorja bëri të ditur se shqiptari kishte marrë më parë katër dënime për pesë vepra penale.
Ndërkohë, avokati mbrojtës, Eiran Reilly, deklaroi se klienti i tij dëshironte të rikthehej në Shqipëri sa më shpejt të ishte e mundur. Ai shpjegoi gjithashtu se Morina kishte tejkaluar afatin e lejuar të qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe, për rrjedhojë, nuk kishte të drejtë të punonte ligjërisht në vend.
Në përfundim të procesit gjyqësor, më 26 nëntor, gjykatësi Ian Pringle vendosi dënimin e 24-vjeçarit me 32 muaj heqje lirie.
Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e parave dhe sendeve të sekuestruara, përfshirë telefonat celularë, si dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.
