Aktuale

Zbardhen emrat/ Kush janë propozimet e degëve të PD për kandidatë si kryebashkiakë të Tiranës

Teksa ethet për zgjedhjet lokale të 9 Majit kanë nisur, dy partitë më të mëdha, nuk i kanë ende gati emrat e kandidatëve për bashkitë e vendit, ku interesi dhe gara më e madhe pritet që të jetë në Tiranë.

Partia Demokratike ka lënë të hapur mundësinë e krijimit të një fronti opozitar për rrëzimin e Ramës, megjithatë nga radhët e degëve lokale nuk kanë munguar emrat dhe propozimet për kandidat. Burime bëjnë me dije për Shekullin se disa prej degëve lokal të PD në Tiranë, kanë dhënë të paktën 5 emra si kandidat të mundshëm, të cilët janë:

Ilir Alimehmeti

Jorida Tabaku

Belind Këlliçi

Klevis Balliu

Ethem Aga

Vetë Alimehmeti nuk e ka fshehur ambicien për të qenë pjesë e garës, megjithatë ai ka qenë i hapur edhe për propozime që mund të vijnë nga qytetarët që kanë protestuar për muaj me radhë në Tiranë. Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku, e cila është përmendur shpesh si candidate e mundshme, në disa dalje të saj, ka deklaruar se për momentin është e fokusuar te betejat e saj në Parlament.

Ndërkohë Belind Këlliçi, duket e pamundur që të kandidojë për të dytën herë radhazi nga ana e demokratëve. Situata nuk është shumë e qartë as në kampin socialist, ky kryeministri Edi Rama, deri tani nuk ka njoftuar asnjë emër, edhe pse kandidatët që janë vetëofruar nuk mungojnë.

Të vetmit kandidatë që deri tani duket se janë konfirmuar në Tiranë, janë Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, dhe Florjan Binaj, që synon të ketë ndikim edhe te elektorati gri, ndërsa zyrtarisht ka vetëm mbështetjen e Adriatik Lapajt. /SHEKULLI

Të Ngjashme