Kosova pritet të përfshihet nga një valë e masave të ftohta ajrore gjatë fundjavës, më 28 dhe 29 nëntor, të cilat do të sjellin ulje të temperaturave, shtim të vranësirave dhe reshje shiu e bore.
Sipas parashikimit sinoptik të Institutit Hidrometeorogjik të Kosovës, , masat e ftohta ajrore pritet të depërtojnë nga drejtimi veriperëndimor i Evropës drejt Ballkanit, duke ndikuar në ndryshimin e kushteve atmosferike edhe në vendin tonë.
Të shtunën, moti do të jetë i vranët dhe me reshje shiu e bore.
“Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 3 deri në 5 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–9 metra në sekondë.
Ndërkaq, të dielën, më 29 nëntor, pritet mot kryesisht i vranët dhe me reshje bore.
“Temperaturat minimale do të zbresin në -5 deri në -3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të lëvizin nga 1 deri në 3 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–6 metra në sekondë”.
Sipas vlerësimit sinoptik, ftohja e motit pritet të theksohet edhe më shumë gjatë javës së ardhshme, kur nis edhe dimri meteorologjik.
