Lajme

Dy aktakuza për krime lufte ndaj gjashtë ish-gardianëve për tortura çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë

Prokuroria Speciale bëri të ditur se ka ngritur dy aktakuza në mungesë për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën e parë ndaj J.J. dhe A.S.

“Të pandehurit, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan, gjatë viteve 1998-1999 kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje. Po ashtu, ata i kanë kanosur seriozisht me vrasje”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, aktakuza e dytë u ngrit ndaj katër të pandehurave: L.S., D.L., S.A., B.S..

“Të pandehurat akuzohen se, në cilësinë e gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës 1998-1999, në bashkëkryerje me tashmë të akuzuarën N.C., i kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore e dhunë psikike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Të Ngjashme