Ministria e Bujqësisë përmes një deklarate për media ka njfotuar lidhur me takimin që ka zhvilluar Ministri i Bujqësisë Armend Muja së bashku me fermerët.
Në komunikatën për media thuhet se është me rëndësi të theksohet se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që janë duke u zhvilluar.
Më tutje thuhet se Ministria është duke punuar me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe me përfaqësuesit e sektorit për të siguruar që grumbullimi i qumështit të freskët të vazhdojë dhe që fermerët të mos pësojnë dëme ekonomike si pasojë e veprimeve apo vendimeve të operatorëve ekonomikë.
Po ashtu thuhet se respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një domosdoshmëri ekonomike.
Komunikata e Plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural respekton të drejtën e fermerëve për të protestuar dhe e kupton shqetësimin e tyre për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit dhe uljen e çmimit të tij. Fermerët janë baza e prodhimit vendor dhe partneri më i rëndësishëm i institucioneve në garantimin e sigurisë ushqimore të vendit.
Është me rëndësi të theksohet se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që janë duke u zhvilluar. Këto procedura kanë të bëjnë ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim dhe nuk cenojnë punën apo kontributin e fermerëve.
Ministria është duke punuar me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe me përfaqësuesit e sektorit për të siguruar që grumbullimi i qumështit të freskët të vazhdojë dhe që fermerët të mos pësojnë dëme ekonomike si pasojë e veprimeve apo vendimeve të operatorëve ekonomikë.
Veprimet e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë masa kundër industrisë së përpunimit. Ato janë masa për forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët që veprojnë në treg.
Respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një domosdoshmëri ekonomike. Cilësia e produkteve, gjurmueshmëria e lëndëve të para, deklarimi i saktë i përbërjes së produkteve dhe etiketimi transparent janë baza mbi të cilën ndërtohet besimi i konsumatorit dhe konkurrueshmëria e prodhimit vendor.
Për këtë arsye, Ministria ka forcuar kontrollet zyrtare në kufi dhe në treg, ka intensifikuar analizat laboratorike dhe ka vendosur raportimin e detyrueshëm për lëndët e para që përdoren në sektorin e qumështit. Këto masa zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjithë operatorët dhe kanë për qëllim që çdo produkt të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kur produktet prodhohen dhe tregtohen sipas rregullave, mbrohet konsumatori, mbrohet fermeri dhe mbrohet konkurrenca e ndershme. Në të kundërtën, mosrespektimi i standardeve mund të dëmtojë besimin në treg, të krijojë konkurrencë të padrejtë ndaj prodhuesve që respektojnë ligjin dhe të ushtrojë presion mbi prodhimin vendor.
Fermerët kanë të drejtë të presin që qumështi i tyre të vlerësohet drejt dhe të mos zëvendësohet në mënyrë të padrejtë nga alternativa që nuk deklarohen apo nuk përdoren sipas kërkesave ligjore. Po ashtu, konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve që blejnë.
Ministria mbetet e përkushtuar për të mbrojtur interesin publik, për të zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë dhe për të mbështetur një sektor të qumështit që është i qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues. Procedurat administrative do të vazhdojnë në bazë të ligjit dhe provave, pa u ndikuar nga asnjë presion, ndërsa institucionet do të vazhdojnë të punojnë për të garantuar që fermerët të mos bartin pasojat.
Ministria u bën thirrje të gjithë operatorëve të sektorit që të respektojnë detyrimet ligjore, të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse dhe të kontribuojnë në një zgjidhje që mbron njëkohësisht fermerët, konsumatorët, industrinë përpunuese dhe prodhimin vendor. Vetëm përmes ligjshmërisë, transparencës dhe përgjegjësisë së përbashkët mund të ndërtohet një sektor i qumështit që gëzon besimin e qytetarëve dhe krijon perspektivë afatgjatë për të gjithë pjesëmarrësit në zinxhirin e vlerës.
