Aktuale

E enjtja “prova e zjarrit” për PS-në/ Emër për emër, pse nuk dalin llogaritë e Edi Ramës për të votuar hartën e re territoriale!

Seanca plenare e së enjtes pritet të jetë një nga përplasjet më të nxehta politike në Kuvend, ku në rendin e ditës do të hidhet për votim drafti i Partisë Socialiste për reformën e re territoriale.

Megjithatë, llogaritë e numrave për kryeministrin Edi Rama nuk duken aspak të sigurta në letër.

Publisht, deputetja Marjana Koçeku, ish-pjesëtare e grupit parlamentar të PS-së që tashmë vepron si e pavarur, i ka thyer përfundimisht shpresat e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Koçeku ka konfirmuar se do të votojë me ndërgjegje dhe absolutisht kundër këtij projektligji, pavarësisht presioneve politike.

Ajo u shpreh e bindur se edhe brenda radhëve të PS-së do të ketë deputetë të tjerë që do ta kundërshtojnë hartën e re me një votë të përgjegjshme, duke sfiduar mosbindjen ndaj urdhrit partiak.

​Llogaritja e numrave: Si shembet shumica e cilësuar

​Në leter dhe teorikisht, mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama numëron 83 mandate të vetat, të cilave u shtohen edhe 3 deputetë nga PSD-ja, duke e çuar totalin ideal në 86 mandate.

Por, realiteti parlamentar për të enjten paraqet një skenar krejt ndryshe:

​85 mandate: Me largimin dhe votën e deklaruar kundër nga Marjana Koçeku, totali zbret menjëhatë në 85.

​84 mandate: Mungesa e Belinda Ballukut, e cila vijon të mos jetë e pranishme në Kuvend, e zbret numrin e votave pro në 84.

​82 mandate: Situata komplikohet akoma më tej me deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.

Të dy kanë shprehur kundërshti dhe rezistencë të hapur sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, duke paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektligjin.

Nëse ata nuk marrin pjesë në votim ose votojnë kundër, numri i votave pro zbret në 82.
​
Përmbi këto numra që tkurren, në listën e të lëkundurave renditet edhe Elisa Spiropali, qëndrimi i së cilës mbetet në pikëpyetje dhe shton edhe më shumë pasigurinë brenda mazhorancës.

​Edi Rama përballet me një test të fortë disipline parlamentare të enjten, ku rrjedhja e votave nga deputetët e tij mund ta nxjerrë jashtë loje hartën e re territoriale./Vna

Të Ngjashme