Në vend të 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin, nga 1 korriku i vitit të ardhshëm shteti do të japë para çdo muaj nga momenti i lindjes së bebes e deri sa të bëhet 5 vjeç.
“Ndryshimi kryesor është që mbështetja nuk merret më e gjitha në një moment, por shtrihet në një periudhë më të gjatë. Kjo i jep familjes një të ardhur të parashikueshme dhe mund të ndihmojë në mbulimin e disa prej shpenzimeve që lindin gjatë viteve të para të fëmijës”, deklaroi Doralda Tanellari, studiuese e çështjeve ekonomike.
Për fëmijën e parë pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj ose 60 mijë lekë në vit, për të dytin 7 mijë lekë në muaj apo 84 mijë lekë në vit dhe për të tretin 10 mijë lekë në muaj po 120 mijë lekë në vit. Kjo me qëllim “joshjen” e çifteve të reja të lindin më shumë fëmijë.
“Megjithatë, duhet parë nëse kjo shumë është e mjaftueshme për të ndikuar realisht në vendimin e një çifti për të pasur një fëmijë tjetër. Kostot e rritjes janë shumë më të larta dhe familjet marrin parasysh edhe strehimin, çerdhet, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë e të ardhurave”, u shpreh Doralda Tanellari, studiuese e çështjeve ekonomike.
Në gjysmën e parë të vitit lindën 108 bebe më pak se në janar-qershor 2025. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga 10 mijë e 337 vitin e shkuar, numri i lindjeve ra në 10 mijë e 229 në 6-mujorin janar-qershor.
“Problemi demografik nuk zgjidhet vetëm me një pagesë mujore. Duhet një paketë më e gjerë politikash që t’ua bëjë më të lehtë çifteve të reja të ndërtojnë familje, të kenë mundësi punësimi, shërbime për fëmijët dhe një perspektivë më të qëndrueshme ekonomike”, tha Doralda Tanellari, studiuese e çështjeve ekonomike.
Me vdekjet që tejkaluan lindjet, Shqipëria regjistroi një shtesë natyrore negative të popullsisë… 150 humbje jetë më tepër se bebe të ardhura në jetë.
Në një realitet ku numri i të rinjve dhe i familjeve që zgjedhin të kenë fëmijë po tkurret, nevoja për politika konkrete mbështetëse bëhet gjithnjë e më e madhe.
