Aktuale

E FUNDIT/ Vrasja tragjike e Liridona Ademajt, ja dënimi që dha Gjykata për Naim Murselin dhe bashkëpunëtorët e tij

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për vrasjen e Liridona Ademajt, duke dënuar bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murselin me burg të përjetshëm. Me burg të përjetshëm është dënuar edhe Granit Plava, teksa Kushtrim Kokalla dënohet me 30 vite burg.

Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në makinë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre. Murseli u shpall fajtor me akuzën se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.

Kokalla akuzohet se e kishte njohur Murselin me Granit Plavën, i cili akuzohet se ishte autori i vrasjes. Plava akuzohet se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra. Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.

Gjatë gjyqit, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja me Murselin, për të marrë përgjegjësinë e vrasjes, ishte për 250 mijë euro, por që të mos përmendeshin shuma të mëdha kishin rënë dakord që në Polici të përmendeshin vetëm 30 mijë euro. Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviç ka deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se Murseli e kishte mbajtur për krahu bashkëshorten e tij, që të mos i shpëtonte plumbit.

“…Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit, pas çka, Naimi, me fëmijët, ka dalë nga vetura, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë prokurorja në nisje të procesit gjyqësor, më 31 janar 2025.

Pistoletën, me të cilën ishte kryer vrasja, Murseli akuzohet se e kishte blerë nga Tom Dodaj për 280 euro, në ditën e ngjarjes tragjike. Ky i fundit ka pranuar fajësinë në fillim të procesit gjyqësor, ndërsa në shkurt të 2025-tës u dënua me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Pas rreth një viti, Gjykata e Apelit ia uli dënimi Dodajt në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, duke përmendur si faktorë pranimin e fajësisë, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës, dhe faktin që “nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur”.

Të Ngjashme